Emri i tij është rikthyer fuqishëm në skenën publike në Kosovë. Përvjetori i pestë i vrasjes së Oliver Ivanoviq, ka rikthyer debatet lidhur me të kaluarën e tij. Krejt kjo pas një fjalimi të kryeministrit, Albin Kurti, i cili vlerësonte kontributin e politikanit serb për afrimin ndër-etnik. Por, kush saktësisht ishte Oliver Ivanoviq? Gazeta Nacionale sjell një profil të politikanit serb.
U vra në mënyrë misterioze më 16 janar të vitit 2018. Megjithatë, sikur vrasja e tij, me shumë mistere ishte e gjithë karriera e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ai ishte i dyshuar e i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve. Megjithatë, procesi ishte kthyer në rigjykim. Edhe në kohën kur Ivanoviq u vra para selisë së partisë që drejtonte, ai ishte zyrtarisht në rigjykim për krime lufte.
I dënuar për krime lufte
Politikani serb dhe udhëheqësi i partisë “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, përballjen e parë me drejtësinë do ta kishte në vitin 2014. Ai u akuzua nga misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, si i dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s në muajin prill.
Megjithatë, ky nuk ishte rasti i vetëm për të cilin ishte akuzuar Ivanvoiq. Ivanoviq u akuzua gjithashtu – së bashku me ish-kreun e Policisë Serbe në Mitrovicë, Dragoljub Delibasiqit – për nxitje të vrasjes së shqiptarëve gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt, 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Këto hetime i kishte nisur fillimisht misioni i UNMIK-ut, për t’i vazhduar më pas ai i EULEX-it. Ivanoviq lidhur me këto akuza ishte arrestuar në janar të vitit 2014, kurse dy vjet më vonë pas një procesi gjyqësor, ai u dënua nga Gjykata në Mitrovicë me 9 vite burg.
Gjyqtarja e rastit Roxana Comsa gjatë shpalljes së vendimit kishte deklaruar se akuzat ndaj Ivanoviqit janë vërtetuar plotësisht. “Oliver Ivanoviq ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policëve të pranishëm në pikën kufitare. Ai ishte i veshur me uniformë të kaltër dhe i armatosur”, kishte thënë ajo.
Mbrojtja e Ivanoviqit kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
“Unë nuk isha pjesë e skenës së krimit dhe nuk kontribuova në ngjarjen e vitit 1999, duke qenë se nuk isha dakord me atë që ndodhi” kishte thënë Ivanoviq në gjykatë.
Edhe në kohën kur Ivanoviq u vra para selisë së partisë së tij, ai ishte në përballje e sipër me drejtësinë për këto akuza.
Udhëheqës i “Rojeve të Urës”
Nata ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit në vitin 2000, ishte e kobshme për 10 shqiptarë të cilët u vranë nga një grup me emrin “Rojet e Urës”. Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi ishin vrarë gjatë kësaj kohe. Mijëra të tjerë u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre në veri, e të dalin në jug.
Gjithë këtë aksion, dyshohej se e kishte udhëhequr pikërisht ish-politikani serb, Oliver Ivanoviq. Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP-i i Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiç, politikanin tashmë të vrarë serb Oliver Ivanoviç dhe të tjerë.
“Rojat e Urës” kanë qenë një grupacion i paligjshëm sigurie, i themeluar në përfundim të luftës në Kosovë, në përbërje të të cilit thuhej se kishte edhe pjesëtarë të pensionuar të forcave paramilitare serbe.
Nga të dhënat e publikuara ndër vite rreth organizatave kriminale serbe në pjesën veriore të Kosovës rezulton se organizata “Rojet e Urës” ka vepruar në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe është themeluar me 12 Qershor 1999.
Vrasja e Oliver Ivanoviqit
Oliver Ivanoviq ishte figurë politike e cila kishte arritur të kthehej në një kundërshtar të Listës Serbe. Ivanoviq kishte dalur kundër Listës Serbe edhe në zgjedhje lokale, megjithatë ato i kishte humbur drastikisht nga Goran Rakiq.
Ndaj tij kishte pasur vazhdimisht kërcënime, madje i ishte djegur edhe vetura. Kjo si paralajmërim për tërheqjen e tij nga rivaliteti ndaj Listës Serbe.
Më 16 janar të vitit 2018, politikani serb Oliver Ivanoviq, po shkonte në selinë e partisë së tij siç bënte çdo ditë tjetër. Megjithatë, ajo ditë doli të ishte fatale për politikanin kundërshtar të Listës Serbe. Ai u qëllua në hyrje të selisë së partisë nga persona që ende llogariten të panjohur.
Megjithëse emrat e vrasësve ende nuk dihen, në krye të gjithë organizimit për vrasjen e Ivanoviqit dyshohet të jenë ‘bosët e veriut’ Milan Radojiçiq e Zvonko Veselinoviq. Të dy në arrati, pavarësisht një aktakuze të ngritur nga Prokuroria.
Në muajin nëntor të vitit 2020, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Të akuzuarit janë: Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq. Këta akuzohen se bashkë me Radojiçiqin e Veselinoviqin, si pjesë e një grupi kriminal në veri, kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviq.
Megjithatë, kanë qenë disa dëshmitarë që të ftuar në këtë proces gjyqësor, nuk kanë pranuar të përgjigjen. Kjo pasi kanë pranuar kërcënime të ndryshme, ku të përfshirë dyshohet se janë strukturat kriminale në pjesën veriore të Kosovës.
Qëndrimi i bujshëm i Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e pestë të vrasjes së Ivanoviqit, ka publikuar një video në rrjete sociale, e cila ka nxitur shumë reagime. Ai aty e portretizoi politikanin serb, si person që ka luftuar për interesat e komunitetit të tij.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”, theksoi Kurti.
Më tej, ai tha se vrasja e Ivanoviqit ndikoi në gjithë shoqërinë ngase ky krim vrau jo vetëm Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët në Kosovë.
“Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”, shtoi Kurti.
Kjo deklaratë nga nxitur reagime të mëdha nga partitë në opozitë e analistë të ndryshëm./Nacionale