Ish-kryetari i partisë në pushtet, Visar Ymeri, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme vizitën e Nënsekretarit Derek Chollet në Kosovë derisa ka kërkuar nga Qeveria që ta bëjë Asocaicionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ymeri ka dhënë këto komente në një intervistë për Ekonomia Online.
“Së pari është një lajm shumë i mirë që Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim shumë më intensiv sepse kjo është një siguri e madhe për Kosovën në dy rrafshe. E para është se përgjatë kësaj historisë së vonë të Kosovës ka qenë ShBA ato që më së shumti e më së miri e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës, veçanërisht në etapat më të vështira të saj. E dyta është që ShBA-të me fuqinë që e kanë janë garanti i vetëm që dialogu mund të përfundoj dhe marrëveshja mund të arrihet, gjë që është në interes të Kosovës,” – tha ai.
“Disa herë e kanë thënë përfaqësuesi e ShBA-së, veçanërisht kohëve të fundit që ShBA-ja mbështet themelimin e Asociacionit i cili i merr parasysh vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë drejtim mendoj që kjo është një siguri për Republikën e Kosovës, që ky Asociacion të mos jetë diçka që do ta pengonte funksionalizimin e Republikës dhe do ta dëmtonte në një farë mënyre sovranizimin e saj. Në këtë drejtim mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të ketë më shumë besim në këtë proces dhe të hyj në të me një siguri pak më të madhe, e të jetë më aktive veçanërisht në këtë temë e cila natyrisht që është temë e ndjeshme dhe që është diskutuar për një kohë të gjatë në Kosovë,” – vazhdoi tutje Ymeri në shpjegimet e tij.
Ai shtoi se largimi i serbëve nga institucionet e vendit e ka bërë të duket edhe më urgjent çështjen e Asociacionit.