Me vizë në xhep, është krejt e natyrshme që udhëtuesit për herë të parë të përjetojnë siklete për mënyrën si do të gjinden në aeroport dhe aeroplan – qe disa këshilla që mund t’u hynë në punë.
Lajmi i konfirmuar për liberalizim vizash për kosovarët, më së largu, deri në janar të vitit 2024, disi ke ndjesinë se nuk ka marrë këmbët e popullaritetit sa e kishte lajmi për mos liberalizim vizash ndër vite.
Sa prej jush njihni dikë që nuk ka fluturuar asnjëherë me aeroplan ose madje që nuk ka qenë fare në aeroportin që mban emrin e heroit kombëtar “Adem Jasharit”?
Gjasat janë të mëdha që secilit që ka vendosur të klikojë këtë artikull e të lexojë këto fjalë, t’i kujtohet dikush, nëse jo vetja.
Është krejt i natyrshëm sikleti për të panjohurat që u presin pasi të bëni “check in” (procesi ku linja ajrore i jep dritën e gjelbër udhëtuesit të futet ne aeroplan), derisa keni përcjellur ndonjë familjar duke ngjitur shkallët që të dërgojnë te zona e pritjes për futje në aeroplan.
Qe çka më tha Bislimi, 25-vjeçar, i cili fluturimin e parë në jetë e bëri këtë vit, nga Prishtina në Londër.
“Pritja në aeroport për udhëtim, check-ini, udhëtimi e shumë gjëra të tjera kanë qenë paksa të habitshme për mua. Kur kam përcjellë dikë për në aeroport, diçka që gjithmonë ka qenë mister per mua, ka qenë pjesa ku përshëndetemi dhe hamendësoja çka ka prapa atje, dhe më në fund erdhi dita kur do t’i zbuloja këto gjëra, falë një angazhimi të madh disa-javor duke u marrë me procedurat e vizës”, thotë ai.
Tutje, ai zbuloi edhe ndjenjat që përjetoi pasi u fut në aeroplan.
“Hipja ne aeroplan ka qenë ndjenjë e veçantë gëzimi, frike dhe dëshpërimi – një mori ndjenjash të përziera. Për secilën e kisha përgjigjen në mendje, i gëzuar se po e përjetoj një gjë të re dhe e kisha ndjenjën e lirisë dhe frikës sepse isha shumë larg tokës, duke provuar diçka të re që nuk ishte e njohur për trurin tim”.
Disa këshilla për t’i pasur në mendje nëse po udhëtoni për herë të parë me aeroplan
Shikoni kërkesat e linjës ajrore për valixhe
Gjëja më e mundur që mund të bëni është të mbingarkoheni dhe, nëse e bëni, mund t’iu kushtojë. Para fluturimit, vizitoni uebsajtin e linjës ajrore me të cilën do udhëtoni për të rishikuar kufizimet e madhësisë dhe peshës së valixhes, po ashtu edhe tarifat e bagazheve. Derisa këto dallojnë varësisht. Nëse bagazhi juaj i dorës është shumë i rëndë, mund t’ju duhet të paguani për ta kontrolluar. Po kështu, nëse bagazhi juaj i kontrolluar është mbi një madhësi të caktuar, mund t’ju duhet të paguani një tarifë më të lartë se zakonisht për ta kontrolluar. Është më mirë të shmangni këto surpriza, nëse është e mundur.
Kryesoret vendosi në çantë shpine
Nëse jeni duke paketuar ndonjë gjë që është e vështirë për t’u zëvendësuar – të themi, ilaçe me recetë, syze, ose dokumente të rëndësishme – vendosni në çantën tuaj të dorës. Në këtë mënyrë, nuk do të jeni pa atë artikull në rastet e rralla kur valixhja juaj zhduket. Ju gjithashtu rekomandoheni të paketoni disa argëtime gjatë fluturimit, të tilla si laptopi, kufjet dhe një libër ose revistë.
Shkoni në aeroport dy orë më herët
Të zësh një aeroplan nuk është si të zësh një autobus; është proces shumë më i gjatë dhe më delikat, në fakt. Rekomandohet çdo shpirt udhëtues të shfaqet të paktën dy orë më herët (dy orë mjafton, mos shkoni më herët se nuk ia vlen për mërzinë që do përjetoni).
Në këto dy orë llogaritet koha kur ju duhet të merrni biletën e imbarkimit, kontrolloni çantat tuaja dhe kaloni në sigurinë përpara se aeroplani të ngjitet në qiell. Ndonjëherë, kjo zgjat 10 minuta.
Përgatituni për largim rripi e zhveshje të kufizuar
Të kalosh nëpër sigurimin e aeroportit mund të jetë gjëja më stresuese që do bën, por nëse e dini çka të prisni, krejt procesi mund të jetë më pak shqetësues. Në secilin rast, nga ju kërkohet
– Zbrazni xhepat, xhaketën, kapelën, largoni rripin, portofolin dhe stolitë.
– Largoni llaptopin dhe lëngjet ka çanta (lëngjet nuk do t’i ktheni më, na vjen keq)
– Vendosni këto gjësende – dhe çantën e shpinës apo dorës – në një makineri X-ray.
– Ecni përmes një detektori metali ose skanues trupi.
Respektoni hapësirat e udhëtarëve tjerë
Këto ditë, fluturimet janë zakonisht krejtësisht të rezervuara, dhe shumica e ulëseve ofrojnë hapësirë kufizuese për manovrim të këmbëve. Kjo mund t’iu stresojë juve dhe të tjerëve që po fluturojnë me ju, kështu që jeni sensitivë.
“Nëse ndonjë nga sendet ose pjesët e trupit tuaj po shkon në një hapësirë tjetër që nuk është e juaja, vërtet duhet ta keni parasysh këtë,” thotë Sills-Dellegrazie. “Mund të jetë aq e thjeshtë sa të vendosni bishtin e flokëve mbi pjesën e sipërme të sediljes dhe tani ai është i varur … në ekranin e televizorit të dikujt, dhe as që e kuptoni”.
Çka është liberalizimi i vizave?
Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t’u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.
Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj./Burim Pacolli – Nacionale