Një numër i madh i mërgimtarëve kanë vizituar Kosovën gjatë vitit që lamë pas. Numri i përgjithshëm i bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin gjatë vitit 2022, është 2 milionë e 274 mijë apo mbi 220 mijë më shumë se në vitin 2021.
Megjithatë, numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit, është më i ulët për mbi 160 mijë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka thënë për KosovaPress, se barrikadat rrugore në Serbi dhe inflacioni, mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të bashkatdhetarëve për këtë fundvit.
Ndërkohë, përveç remitencave gjatë vitit 2022, sipas raportit të BQK-së, bashkatdhetarët kanë shpenzuar mbi 1.48 miliard euro, gjatë vizitave në Kosovë.
“Nëse i shohim këto statistika dhjetor 2021 dhe dhjetor 2022, deri më 28 dhjetor 2022, shihet se ka një ulje të numrit të bashkatdhetarëve që kanë ardhur, krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak. Kjo rënie ka disa shkaqe, e para për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit, e dyta pengesat potenciale rrugore që kanë mundur t’iu shkaktohen bashkatdhetarëve tanë. Në këtë drejtim, si total, dallimi mes vitit 2021 dhe 2022, është se këtë vit ka pasur më shumë hyrje se sa në vitin paraprak. Në vitin 2021, kemi pasur rreth 2 milionë e 50 mijë qytetarë, ndërsa në vitin 2022, kanë qenë 2.2 milionë”, tha ajo.
Ndërsa nga viti në vit janë rritur edhe remitancat nga diaspora. Sipas zëvendësministres Gashi, nga muaj janar e deri në nëntor të vitit 2022, dërgesat nga bashkatdhetarët kanë arritur në vlerë 1.1 miliard euro. Shkaktar i rritjes së remitancave duket të jetë edhe rritja e numrit të migrimit viteve fundit nga të rinjtë kosovarë në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani.
“Deri në nëntor të vitit 2022, kemi pasur diku rreth 1.1 miliard euro dhe besoj se shumë shpejt edhe Banka Qendrore e Kosovës, do të del me statistikat finale për vitin 2022. Mirëpo, shohim jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin se është një rritje e remitancave që ndodhë gradualisht”, ka thënë ajo.
Zëvendësministrja Gashi ka thënë se prioritet për qeverinë mbetet edhe diplomacia ekonomike për promovim dhe nxitje të investimeve të huaja në Kosovë.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2023, pritet të emërohen rreth 10 atashe ekonomikë.
“Presim që në vitin e parë të kemi rreth 10 atashe ekonomikë të specializuar në kuadër të rrugëtimit, misioneve tona diplomatike, shto kësaj edhe 42 diplomatë të ngarkuar me punë në kuadër të misioneve që kanë portofolion e diplomacisë ekonomike. Këtu do të jemi më ‘agresiv’ në vitin 2023, sa i përket prezantimit të këtij potenciali përmes forumeve, marrëveshjeve të bashkëpunimit bilaterale për tregti. Në disa shtete, taksimi i dyfishtë është ende në marrëveshje në proces, ne përveç që duhet ta bëjmë këtë pjesën e fasilitimit të kontakteve, duhet vazhdimisht avokim për ato vende siç është rasti i Çekisë, që është ende në parlamentin çek, e që duhet lëvizur tutje, kështu që në këtë drejtim ka ende hapësirë për t’u përmirësuar”, tha ajo.
Përkundër që nuk ka folur për numrin e migrimit gjatë vitit 2022, Gashi thekson se migrimi mbete sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit.