Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i markës “JH”, Nertil Boraj deklaroi se produkti më i shtrenjtë që kompania ka shitur, ka qenë një set i personalizuar, ku përfshiheshin 3 çanta, tre parfume dhe tre portofolë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Boraj u shpreh se ky set është blerë nga shqiptarë për shifrën e 360 mijë eurove.
Sipas tij, kompania i ka mundësitë për të bërë personalizime me diamante, por nënvizoi se është ende herët për këtë, pasi nuk ka shumë kërkesa.
“Po. Kemi bërë një komplet. Tre çanta, tre parfume, tre portofolë dhë ka shkuar në shifrën e 360 mijë eurove. Parfumet e personalizuara fillojnë te 6 mijë euro, baza, ndërsa më i shtrenjti ka shkuar në 12 mijë euro. Shishe e personalizuar, e punuar me flori 24 karat, me kuti të personalizuar, janë blerë nga shqiptarë.
Çantat vazhdojnë nga 10 mijë dhe arrijnë deri në 200 mijë euro, varet nga kërkesat e klientit. Me diamant nuk kemi arritur të shesim akoma. E kemi mundësinë për ta bërë, por është ende herët, nuk kemi pasur kërkesa”, theksoi ai.