Tensionet e dhjetorit duket se e kanë shtyrë afatin e fundit të një marrëveshjeje përfundimtare. Lajcak tash thotë se ujdia Kosovë -Serbi duhet të arrihet deri në fillimin e 2024. Kurti që kishte qejf ta potenconte se për herë të parë ka një afat, shpresonte që marrëveshja do të arrihej në mars të 2023-s.
Fillimi i pranverës së ardhshme ishte afati i fundit kur Kryeministri Kurti donte që të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ashtu thoshte se kështu i kanë thënë ndërmjetësit në dialog, ndërsa udhërrëfyes deri te caku do të ishte propozimi franko-gjerman.
Këto, Kryeministri Kurti i kishte thënë në nëntor, pasi nisën tensionet në veri për shkak të vendimit për zëvendësimin e targave ilegale me targa RKS.
“Afatin mars 2023 nuk e kam shkru unë, e ka shkruar Brukseli në ftesë. Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike, është paragrafi ku thuhet se bisedimet përfundojnë në marsin e vitit 2023. Andaj unë kam shkuar”, thoshte Kurti.
Kryeministri e theksonte se “për herë të parë kemi afat”. “Dhe a e dini se çfarë kam kërkuar unë aty? Të jetë shkurti i vitit 2023. Thash pse marsi, pse jo shkurti? Më shpejt më mirë. Jo – tha – nuk bën shkurti, marsi. Iu thash shkurti, ata thanë marsi. Hajt po e lëmë marsin. Në fund unë pranova, ata e lanë krejt”, kishte deklaruar Kurti në nëntor.
Prej kur Kurti ka folur, në veriun e Kosovës dhe mes saj e Serbisë kanë ndodhur shumë ngjarje. Dhjetori nisi me incidente dhe vazhdoi me barrikadime, lëvizje të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe “retorikën” që ndërkombëtarët kërkonin të ndalej.
Të gjitha këto duket se i kanë shtyrë afatet kur mendohej të arrihej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, nëse krahasohet deklarata e Kurtit me një deklaratë të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, të dhënë së fundmi.
Lajcak insiston se momenti aktual është ideal për një marrëveshje, duke thënë se afati i përmbylljes së tij, ai shpreson të jetë në fundin e 2023-s, ose fillimi i 2024-s. Sipas tij nëse kjo dështon kontesti mund të zvarritet me dekada.
“Momentalisht, ne kemi një strukturë të përshtatshme. Ne kemi vëmendjen e udhëheqjes kryesore në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një bashkëpunim shembullor SHBA-BE, kështu që, kjo është një dritare mundësie, diku deri në dhjetor të 2023-s ose në fillim të 2024-s”, ka thënë Lajcak për Politico.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Zyra e Kryeministrit nuk e ka komentuar afatin e përmendur nga Lajcak.
Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, ka thënë se “burra dhe gra të mëdhenj” të botës do të nisin t’i shkojnë në Beograd në fillimvit, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën.
“Unë pres që burra të mëdhenj dhe gra të mëdha nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë”, tha ai.