Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë festës së fundvitit, veçanërisht në përdorimin e mjeteve piroteknike.
Përmes një njoftimi për media të premten, Policia ka thënë se qytetarët duhen të kenë kujdes të shtuar edhe në trafik e të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.
Për t’i respektuar këto masa, Policia ka hartuar planin operativ për Vitin e Ri.
“Qëllimi parësor i Policisë është që përmes aktiviteteve operative dhe jo vetëm, të sigurojë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në tërë territorin e vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia, sipas njoftimit, do të trajtojë me seriozitet çdo thirrje të qytetarëve dhe do të reagojë në raste kur prezenca policore është e nevojshme duke trajtuar rastet eventuale që mund të paraqiten në këtë periudhë të festave dhe pas tyre.