Ministër për herë të tretë: Ku ishte Arben Vitia?

I vjetri Arben Vitia është emëruar ministër i ri i Shëndetësisë. Por, ku ishte gjithë këtë kohë z. Vitia?

Prej 6 tetorit, Qeveria Kurti II nuk kishte ministër të Shëndetësisë kur Rifat Latifi dha dorëheqje nga kjo pozitë. Pra, tash e tetëdhjetë ditë.

Por, kjo nuk ishte e para herë që Kurti e kishte lënë shëndetësinë – argumentueshëm, prej fushave më me telashe në Kosovë – pa zot/zonjë shtëpie. Tetëdhjetë ditëve pa ministër i shtohen edhe plot 45 ditë tjera gjatë vitit 2021.

Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozicioni i ministrit të Shëndetësisë saktësisht më 1 tetor të vitit 2021 për t’iu bashkuar garës për kryetar të komunës së Prishtinës. Ministër nuk do të kishte deri më 16 nëntor të atij viti, kur do të vinte nga Amerika ish këshilltari i Hashim Thaçit, i lartpërmenduri Rifat Latifi.

2021

Por, mes këtyre dy datave të vitit 2021 do të ndodhnin disa gjëra që qartësojnë pritjen e parë të Kurtit për Vitinë.

Vetëvendosje kishte shpresuar që do ta mposhtte Përparim Ramën e LDK-së qysh në raundin e parë të zgjedhjeve për Prishtinë që u mbajtën më 17 tetor. Megjithatë, nuk kishte ndodhur ashtu. Vitia do të dilte i pari me 11 mijë e 500 vota më shumë por s’do të fitonte pa balotazh. Më 14 nëntor do të mbahej raundi i dytë ku Vitia do të humbiste krejtësisht nga Përparim Rama.

E megjithatë, karrigen e ministrit nuk e kishte zënë askush. Ai nuk do të kthehej përkundër që vetë datat (16 nëntor, emërimi i ministrit të ri) lënë të nënkuptohet se ai është pritur nga ish shefi i tij Albin Kurti.

2022

Në vitin 2022 ishte raportuar se Arben Vitia – përkundër që kishte marrë mbi 100 mijë vota në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 – ishte emëruar menaxher në klinikën private “Olive”. Rroga raportohej të ishte e majme. Por, kishte dyshime edhe për konflikt interesi. Kjo klinikë – siç thonë aktivistët e PSD-së – ishte zhvilluar pikërisht në kohën sa Arben Vitia kishte qenë ministër.

Por, puna në ‘Olive’ do ta linte z. Vitia gati krejtësisht të paangazhuar në debatet publike – qoftë edhe vetëm në sektorin e shëndetësisë.

Vitia do të kryente funksionin e kryetarit të Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, por do të ishte tërësisht pësor edhe në këtë detyrë. Pa deklarata publike, pa denoncim të punës së Përparim Ramës në Prishtinë, pa asnjë fjalë. “Ku është Arben Vitia?” – pyeste qysh në nisje të punës së saj në muajin mars gazeta Nacionale.

6 tetori

Dorëheqja e ministrit Rifat Latifi nuk ishte megjithatë aq e papritur. Ai kritikohej e kritikohej vazhdimisht, madje edhe nga njerëz të afërt me Vetëvendosjen. Dhe, dihej se emri i parë që do t’i vinte ndërmend Kurtit pas dorëheqjes së Latifit ishte pikërisht Arben Vitia. Fundja, ai kishte qenë dy herë ministër i tij (Qeveria Kurti I dhe Qeveria Kurti II).

Nacionale e kishte pyetur z. Vitia se a do të ishte ministër i ri pikërisht më 6 tetor, por këto kishin qenë fjalët e tij:

“Jo, nuk kam asnjë interesim. Nuk kam qenë në dijeni më herët, është lajm ky që sapo më thatë,” – na kishte thënë ai.

Nuk dihet se çka saktësisht ia riktheu interesimin Arben Vitisë për t’u bërë sërish ministër i Shëndetësisë, por ajo që dihet është se 80 ditë më 2022 dhe 45 të tjera në vitin 2021 u çuan dëm pikërisht në pritje të tij. /Nacionale