A po i vjen fundi pritjes? Kurti thotë se për 3 ditë do të emërojë ministrin e Shëndetësisë

Ndërsa sektori i Shëndetësisë, kohëve të fundit është shndërruar në një nga më problematikët në vend, ku përveç skandaleve të ndodhura nëpër spitale, në këtë department jetik pacientët përballen edhe me mungesen e ilaçeve bazë e materialeve shpenzuese. Që nga 6 tetori, ky sektor nuk ka ministër në krye.

Por, a po i vjen fundi kësaj situate?

Një ditë më parë, media të ndryshme raportuan për një rikthim të mundshëm të ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, i cili kishtë dhënë dorëheqje më 1 tetor 2021. Ndërsa, sot në një konferencë të mbajtur për shtyp, ishte vetë kryeministri Albin Kurti, që dha shenja se së shpejti mund të kemi një ministër të ri.

Në konferencën e mbajtur bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kurti u shpreh se para vitit të ri do të emërohet edhe ministri i ri i Shëndetësisë.

“Po ne duhet ta marrim një vendim lidhur me MSH, këtë do ta bëjmë para vitit të ri. Konkretisht në fillim të javës së ardhshem. Duhet të keni pak durim pak ditë, jo më shumë se tri ditë ose 72 orë po i bije, ndoshta edhe më pak”, tha Kurti.

Kush mund të jetë ministri i ri?

Që nga raportimet e lartëpërmendura, për rikthimin e mundshëm të Arben Vitisë si ministër i Shëndetësisë, Nacionale është munduar të kontaktojë me zotin Vitia për të marrë një përgjigje. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asgjë të konfirmuar.

Kujtojmë se, Vitia kishte dhënë dorëheqje për t’iu futur garës për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale, ku doli i mundur nga kandidati i LDK-së, Përparim Rama. Që atëherë, dihet se Vitia ishte emëruar drejtor i klinikës ‘OLIVE”.

Dita e 78 pa ministër të Shëndetësisë

Gjithë kjo kohë e kaluar pa ministër të Shëndetësisë, që siç e cekëm më lartë u shoqërua edhe më shumë skandale në këtë sektor, ka sjellë edhe reagime të shumta nga partitë opozitare, të cilat këtë situata e kanë cilësuar si një papërgjegjësi totale të qeverisë.

Dy ditë më parë, ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili tha se, në një kohë kur do të duhej të flitej për zhvillimin e shëndetësisë, ne akoma jemi në pritje të ministrit të ri.

‘As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë,” ka shkruar në Facebook, kreu i LDK-së, duke e quajtuar qeverinë Kurti, si të paaftë e të papërgjegjshme.

Reagimet më të fundit në lidhje me mungesën e minsitrit të Shëndetësisë, u shkaktuan veçanërisht nga skandali më i fundit, i ndodhur në spitalin e Pejës, me foshnjën e pajetë që kishte përfunduar në lavatriçe.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjete sociale, u drejtua duke dashur të dijë se kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto skandale, kur s’ka një ministër në krye.

“Kush mbanë përgjegjësi, tash kur s’ka minister”, ka shkruar Çitaku, duke vazhduar më tej me ironi, opozita? Mediat? “armiqtë e pushtetit”. Ndërsa e ka përfunduar shkrimin me fjalët, “Qeverisje pa plan, pa vizion, pa njerëz.”

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një prononcim të dhënë për Nacionalen, ka thënë që situata në shëndetësi nuk është e mirë, e duhet të zgjihet sa më parë.

“Sinqerisht, situata në shëndetësi nuk është e mirë dhe duhet të zgjidhet sa më parë. Ministria të funksionojë pa prani të ministrit, nuk është në rregull, ndërsa përgjegjësitë t’i mbajë mbi vete kryeministri, i cili ka mjaft obligime të tjera,” është shprehur, Dreshaj.

Sot shënon dita e 78 pa ministër të Shëndetësisë, e nisur nga fjalimi i Kurtit, dita e 80-të, do të duhej të jetë edhe dita e fundit./Nacionale