Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës ka reaguar pas mbështetjes që kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i dha Qeverisë për Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
SSHCK ka thënë se Hykolli i ka dalë kundër sindikatave me qëndrimin e tij.
Sipas tyre, Hykolli këtë e ka bërë për t’i hyrë në hatër Kurtit “duke e tradhtuar detyrën-misioniy që i është besuar”.
Kjo sindikatë thotë se gjatë kohës së grevës kanë vërejtur veprime të dyshimta
“SSHCK, në vazhdimësi i ka dhënë vërejtjet në Projektligjn për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e Pagave duke i dërguar edhe me shkrim ato vërejtje në Ministri dhe në Komisionet Parlamentare dhe njëherit kemi pasur koordinim të plotë edhe me Sindikatën e Administratës Publike SPAK. Për këto qëndrime, është mirë i informuar edhe vet Atdhe Hykolli i cili për çudi, pa dijeninë e kryesisë së BSPK por edhe Federatave tjera Sindikale, del me qëndrim të kundërt, sa për t’i hyrë në hatër Kryeministrit Kurti, duke e tradhtuar rëndë detyrën-misionin që i është besuar e që është: mbrojtja e interesave të punëtorëve. Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK e që zgjatën rreth pesë javë derisa z.Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se çka u bisedua në ato takime. Po të ishte dinjitoz në detyrën e tij, ai nuk do të duhej takuar me Kryeministrin Kurti pa qenë prezent edhe dikush nga kryesia dhe pa pranuar z.Kurti që ti takoj edhe sindikalistët tjerë por ja që u pa se ai ka shitur interesin e punëtorve”, thuhet në reagimin e tyre.
SSHCK ka kërkuar nga presidentja Osmani që mos t’i dekretojë këto dy ligje.
“Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës-SSHCK, i bënë thirrje Presidentes së vendit, znj.Vjosa Osmanit, si gardiane e Kushtetutës, që të mos i dekretoj këto dy Ligje dhe të ndërpres çdo iniciativë që shkon në dëm të mbrojtjes ligjore të të drejtave të shërbyesve civilë dhe publik në Republikën e Kosovës”.