Rasti i tmerrshëm në Spitalin e Pejës ku një foshnje e vdekur u fut në lavatriçe, ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve në vend. Më tragjike dhe më e rëndë është se në dijeni të këtij rasti që ndodhi më 13 dhjetor ishin organet përgjegjëse. Edhe SHSKUK edhe Ministria e Shëndetësisë e dinin për rastin.
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija ka thënë se dy ditë pas rastit të tmerrshëm ku një foshnje u fut në lavatriçe, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, kishte vizituar Spitalin e Pejës.
Vizita e Pranvera Zejnullahu- Raçi ishte bërë e ditur edhe nga faqja zyrtare e SHSKUK-së në Facebook.
Ajo kishte shkuar për vizitën në Spialin e Pejës për të takuar gjinekologun Musa Krasniqi, i cili jeton dhe vepron në Danimarkë.
Në komunikatën e kësaj vizitë askund nuk ishte përmend për rastin e tmerrshëm që kishte ndodhur dy ditë përpara.
Sipas gazetarit Vitija, ky rast u tentua të mbahej i fshehur nga SHSKUK dhe MSH-ja.
“Deri ne kete nivel ka mberri papergjegjesia ne shendetesine e Kosoves. Trupi i nje foshnje te vdekur masakrohet ne lavatriçe. Rasti ndodh me 13 dhjetor. Dy dite me vone spitali i Pejes vizitohet nga ud.drejtoresha e SHSKUK-se. Ajo vihet ne dijeni sikurse edhe MSH. Asnje pergjegjesi!”, ka shkruar Vitija në Facebook.
Çka ndodhi?
Në Spitalin e Pejës, një foshnje e pajetë u vendos në lavatriçe bashkë me rroba të tjera.
Rastin tashmë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës. Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi, ka thënë për Nacionalen se ngjarja ka ndodhur javën e kaluar.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Prokurori i krimeve të rënda ka dal në vendin e ngjarjes, rasti është në fazën e hetimit. Po i presim edhe raportet nga Inspektorati Shëndetësor”, tha ndër tjerash ai për Nacionalen.
E prindi i foshnjes ka treguar se çfarë ka ngjarë.
“Pasi shkuam poshtë sigurimi e ka pa një person të spitalit aty duke i marrë copat e foshnjës dhe duke i shti në kese. Duke i mbledhë copë-copë”, citohet të ketë thënë babai i foshnjes.
7 të suspenduar
Pas këtij rasti, Spitali i Pejës, me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se deri më tani ka supsenduar shtatë punonjës të Spitalit.
Në njoftimin e Spitalit të Pejës janë dhënë edhe detaje të tjera.
Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë në mbrëmjen e datës 13.12.2022 tek një shtatëzën e shtrirë në Spitalin tonë është bërë diagnostifikimi i frytit të vdekur nga ana e mjekut kujdestar, dhe si rrjedhoj ka ndodhur një intervenim kirurgjik dhe fetusi nxirret me prerje cezariane i vdekur në javën e 32 të gestacionit. Menjëherë me të ndodhur rasti organet e hetuesisë në njëren anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast.”
“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyren se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët. Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.
Ndërkaq për këtë rast kanë reaguar politikanë e qytetarë. Ata kanë akuzuar Qeverinë Kurti pasi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka ministër tash e 75 ditë.
Edhe MSH edhe SHSKUK aktualisht janë me ushtrues detyre të pozitave kryesore.