Një person mbrëmë pak para mesnatës ka përfunduar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që mori nga një rrahje në të cilën u përfshi.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 46-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe me lëndime në vesh, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditja me mjet të fortë.
Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, ai është futur me urgjencë në sallën e operacionit dhe pas intervenimit të mjekëve gjendja e tij është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin janë njoftuar edhe organet e rendit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në parkingun e restorantit ‘Orhidea’, ku i dyshuari A.Ç., ka sulmuar me gotë qelqi viktimën i cili mbeti i lënduar rëndë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.