Policia e Kosovës përmes një komunikate për shtyp ka demantuar lajmet e mediave serbe se njësia speciale e Kosovës ka bllokuar Ujmanin.
Policia po ashtu ka demantuar edhe raportimin e tyre se PK-ja ka maltretuar një qytetar serb derisa kanë marrë objektet në atë lokacion.
“Njëkohësisht përmes këtij njoftimi zyrtar Policia e Kosovës, njofton opinionin publik dhe demanton disa media serbe të cilat i referohen se kinse njësitet speciale të PK-së, te Ujmani kanë ndaluar dhe maltretuar një qytetar/punonjës serb dhe kinse kanë marrë objektet në atë lokacion.”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Ndërkaq në njoftimin e tyre PK-ja ka njoftuar poashtu se pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të mbesin të mbyllura edhe sot për shkak të sigurisë.
Tutje Policia ka rrëfyer edhe mënyrën se si grupe kriminale dje kanë shtënë me armë zjarri drejt tyre.
“Policia e Kosovës me njësitet e saja është vendosur në rrugën kryesore që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut, nuk është vendosur në ndonjë objekt të caktuar si dhe nuk ka maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm ka legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem. Pikërisht në këtë lokacion mbrëmë grupet kriminale në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore që kanë qenë në detyrë zyrtare, e të cilat në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale.”, kanë shkruar ata.
Së fundi policia ka thënë se situata vazhdon edhe sot të jetë e brishtë.