Përmbledhje – çka ndodhi mbrëmë në Lagjen e Boshnjakëve?

Pas së martës, kur pati disa shpërthime, mbrëmjen e së mërkurës në Lagjen e Boshnjakëve u hodhën dy shok-bomba.

Për lajmin fillimisht raportoi portali lokal Mitropol, para se të njëjtin ta konfirmojë edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti u ka thënë mediave që shok-bombat nuk shkaktuan dëme materiale apo në njerëz.

Në anën tjetër, banorët e lagjes që qëlluan jashtë në momentin e shpërthimit i treguan Mitropolit se shok-bomba u hodh nga një veturë në lëvizje.

Nacionale në anën tjetër kishte siguruar edhe një video nga pamjet e kamerave të një shtëpie, ku dëgjohet vetëm zhurma, me ç’rast mësoi se koha e saktë e shpërthimit ishte 20:42.

Kujtojmë se zhvillimet e fundit në pjesën veriore kanë bërë bujë edhe te mediat ndërkombëtare.

Gjithçka filloi në momentin kur qytetarët serbë u rebeluan ndaj hyrjes së zyrtarëve të KKZ-së në zyren e këtij institucioni në Zubin Potok, në kuadër të përgaitjeve për zgjedhjet e 18 dhjetorit në katër komunat veriore.

Kujtojmë se Ambasada Amerikane në një deklarim publik ka thënë se momentalisht nuk ka kushte për zgjedhje, kurse autoritetet kosovare kanë thënë se do të bëjnë maksimumin që të mbahen.

Kreu i KQZ-së në anën tjetër, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se në bazë të një raporti më të detajuar të Policisë, do të vendosin për shtyerje ose jo të zgjedhjeve.

Siç ka thënë ai përgjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Komisionit Qendror Zgjedhor:

“Për çfarë zgjedhje po flasim nëse duhet angazhuar gjithë aparatin policor”.