Gazetari Xhymshiti për situatën në veri: Katër shpërthime, sapo u dëgjuan të shtëna armësh

Fotoreporteri Vudi Xhymshiti ka thënë se katër shpërthime kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, derisa ka publikuar pamje ku shihet duke dalë tym nga atje.

Përmes një video të publikuar në rrjetin social Twitter, ai ka thënë se të shtëna me armë zjarri po dëgjohen edhe aktualisht.

“Ngritet tymi pas katër shpërthimeve në bregun verior të qytetit të trazuar verior të Kosovës, Mitrovicës. Të shtëna me armë zjarri dëgjohen pikërisht tani, pasi shumë dëshmitarë okularë pohojnë se serbët e veriut mund të kenë synuar zyrën e komisionit qendror të zgjedhjeve.” – ka shkruar ai.

Gazeta Nacionale nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur asnjërin pretendim të z. Xhymshiti deri tash.

Çfarë po ndodhë në veri?

Mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online, pasditen e së martës ka raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.

Siç mëson kjo gazetë, janë dëgjuar dy shpërthime ndërsa nga ndërtesa kanë dalë anëtarët e komisionit në fjalë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Sipas asaj që mësuam në vend, anëtarët e Komisionit Komunal, me asistencën e Policisë, kanë hyrë me forcë në ambientet e komunës, kanë thyer dyert dhe kanë ndërruar bravat, para se të dalin nga ndërtesa,” – shkruan ky medium.

Sot ishte e planifikuar që të vendoseshin anëtarët e komisionit nëpër zyret e tyre. Nuk dihet nëse operacioni i tyre deri tash është kryer me sukses. Nacionale po provon të kontaktojë me organet kompetente për të marrë më shumë informacione.

Redaksia deri në këtë moment nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionet mbi shpërthimet në këtë qytet.