Tirana do të jetë sot kryqendër e liderëve të Evropës. Liderë të fuqishëm të institucioneve të BE-së do të qëndrojnë në Shqipëri, atje ku do të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. E pikërisht sot, kryetari i Partisë Demokratike atje, Sali Berisha, ka organizuar një protestë. Nacionale sjell një përmbledhje të zhvillimeve që duhet t’i dini para këtij samiti.
Në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që kësaj radhe do të mbahet në Tiranë, Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani. Lajmi u bë publik gjatë ditës së djeshme nëpërmjet një komunikate për media.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit. Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet nga Presidenca e Kosovës.
Edhe pse në fillim presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte anuluar pjesëmarrjen pasi kryeministri Kurti e emëroi Nenad Rashiqin ministër, atij i është thyer sërish mendja. Dje ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
“Për mua është shumë e vështirë të kuptoj gjuhën e të dy palëve, nuk kemi bërë asgjë, po mundohemi të ruajmë jetën e njerëzve tanë, ka shkaktuar zemërim, inat dhe mllef, por përfundimi është si më poshtë. Nuk jam i sigurt, por sigurisht që do të ketë disa përfitime nga prania ime në Tiranë dhe nëse nuk do të shkoja mund të mos kishte asnjë përfitim, por do të kishte dëm të madh për vendin tonë”, ka thënë ndër të tjerash Vuçiq.
Pjesëmarrës do të jenë udhëheqësit më të fuqishëm të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Në Samit do të jenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, por edhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, një kritik i politikave të BE-së.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez nuk do të vijë në Tiranë më 6 dhjetor, duke u arsyetuar se Spanja feston ditën e Kushtetutës në këtë datë.
Temat kryesore të Samitit
Temat kryesore për të cilat do të diskutohen në samitin BE- Ballkani Perëndimor në Tiranë , do të kenë në fokus luftën në Ukrainë, migracionin, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si dhe përforcimin e sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Ndalur te lufta në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë si pasojë e agresionit rus, e më konkretisht si mund të trajtohen efektet negative që kanë sjellë në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.
Rreth 1500 efektivë të policisë dhe forcave të tjera të sigurisë pritet të jenë në terren për ta siguruar mbarëvajtjen e Samitit. Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë “të hekurta”, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku.
Sali Berisha në krye të protestës
E pikërisht ditën e sotme, kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, e ka zgjedhur të organizojë protestë. Kjo me qëllimin për t’iu treguar liderëve evropianë, që Edi Rama është i korruptuar.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në deklaratat e tij për mediat ka thënë se protesta do të jetë një mesazh për BE-në.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha një ditë para mbajtjes së protestës së thirrur njëkohësisht me samitin e BE në Tiranë, është shprehur i vendosur dhe i palëkundur se ajo do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pavarësisht se policia e ka quajtur “zonë të kuqe”.
Berisha u beri thirrje qytetareve te mblidhen ne bulevard dhe tha se Rama do të ulet të martën në karrigen e kryeministrit në samitin para liderëve të BE-së si “hajduti i parë i Shqipërisë”.
AGJENDA E SAMITIT:
Është publikuar tashmë agjenda e plotë e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Liderët evropianë pritet të arrijnë rreth orës 09:30, kurse përgjatë 30 minutave të ardhshme do të nënshkruhet marrëveshja “roaming”.
Sesioni i seancës së parë do të fillojë në orën 10:00, kurse ai i dyti në 12:15.
Në fund, Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët.
MBËRRITJA E LIDERËVE 09:30
FIRMOSJA E MARRËVESHJES ROAMING 10:00
VIJON MBËRRITJA E LIDERËVE TË TJERË 10:15
11:00 SEANCA PLENARE (I)
11:45 FOTO FAMILJARE
12:15 SEANCA PLENARE
(II) KONFERENCA E LIDERËVE (Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel; Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama)./Nacionale