Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatëzënë e vrarë mbrëmë në QKUK, kishte urdhër mbrojtje.
Sipas njoftimit të Gjykatës, urdhri mbrojtës ishte në fuqi deri në muajin mars 2023.
“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje. Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, thuhet në njoftim.
Gjykata njoftoi tutje se i dyshuari S.H., më 23 shtator ishte shpallur fajtor për armëmbajtje.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”.
Më 10 gusht ai është akuzuar edhe për kanosje ndaj gruas.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”.
Më 26 shtator mbrojtësi i të dyshuarit S.H., kishte paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Por, gjykata kishte refuzuar këtë kërkesë.