Kurti: S’ka asgjë të befasishme që ambasadori amerikan ka informacion më shumë se unë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka vlerësuar si të befasishme deklaratën e dhënë se, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka më shumë informacion sesa kryeministri për çështjen e veriut.

Kurti këtë e ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës, përgjatë interpelancës të së mërkurës për situatën në veri. Tutje, ai ka shtuar se e ka parë pozitive që ambasadori amerikan ka dashur të ndajë një informacion të këtillë, shkruan lajmi.net.

“SHBA e kanë ambasadën edhe në Serbi edhe në Kosovë. Unë nuk e di pse shtiren të befasuar pse ambasadori ka pasur më shumë informacion se unë. Është shumë mirë që e ka nda atë informacion me mua. Këtu nuk ka asgjë negative, e asgjë të befasishme. Nuk e di që opozita a është konstruktive apo jo, por asnjë deputet i LDK-së nuk është këtu”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

“Unë jo vetëm që informoj po edhe po kërkoj pjesëmarrje. Deputetëve që nuk janë sot në sallë po ju ecë rroga. Deputeti e ka pagën më të lartë se kryeministri dhe nuk janë këtu. Unë nuk e konsideroj mos-pjesëmarrjen konstruktivitet. Pikërisht destruktivitet është mos-pjesëmarrje, ku ti kërkon informacion të brendshëm nga bisedimet dhe në anën tjetër nuk merr pjesë”, vijon ai.