Arben Berisha, komentator i sportit në Radio Televizionin e Kosovës ka refuzuar t’ua përmend emrat futbollistëve serb gjatë komentimit të ndeshjes, Kamerun-Serbi.
Radio Televizioni i Kosovës ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror në Kosovë, ndërsa sot komentatori Berisha ka refuzuar të komentojë aksionet e ekipit serb.
Kameruni dhe Serbia janë duke zhvilluar ndeshjen e radhës në kuadër të xhiros së dytë në Kampionatin Botëror, ku momentalisht rezultati është i barabartë.
Serbia ka shënuar tre gola, po aq sa edhe Kameruni, mirëpo për dallim nga komentimi i golave të Kamerunit, komentatori Berisha nuk ka komentuar detajisht edhe golat e Serbisë.
Gjatë tërë ndeshjes, e sidomos në repartin defanziv, Berisha nuk ka komentuar emrat e futbollistëve serb, por ka vendosur ta komentojë në përgjithësi ndeshjen.
Kameruni e Serbia ndodhen në Grupin G, ku deri më tani kanë vetëm nga një pikë, për dallim nga Zvicra e Brazili që kanë nga tre sosh.