Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Njoftimi vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kryetarët e këtyre komunave – që të gjithë nga Lista Serbe – dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe tha të martën se as subjekti, as qytetarët që e mbështesin atë – “mbi 95% e të cilëve janë janë në këto zona” – nuk do të dalin në zgjedhje.
Osmani tha se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është “detyrim kushtetues” që pason “aktin e dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave” dhe “assesi çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet”.