Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një tryezë në të cilën është diskutuar perspektiva demografike e Kosovës është shprehur i shqetësuar me evoluimin negative të të dhënave demografike të Kosovës.
Konjufca ka thënë se shprehja që Kosova asetin më të rëndësishëm e ka rininë thuhet si me automatizëm derisa ka tërhequr vërejtjen duke thënë se vendi është më i vjetër për çdo vit,
“Një prej aseteve kryesore që e ka Kosova është popullata e saj, sidomos rinia. Por po ashtu duhet të jemi diçka të vetëdijshëm. Ne si me automatizëm po e themi këtë, që aseti për I rëndësishëm për Kosovën është rinia. Por duhet ta kemi në të njëjtën kohë parasysh, që Kosova për çdo vit është më pak e re dhe këtë do ta kemi në vëmendje”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se duhet shqetësuar për faktin që popullata e Kosovës po vjetërsohet.
“Sepse kur po e themi këtë që Kosova është shumë e re po e themi me një vet kënaqësie, dhe mua më duket që duhet të jetë te shqetësimi sesa të vetëkënaqësia. Për çdo vit që kalon Kosova është më pak e re”, ka shtuar tutje.
Ai në fjalën e tij ka dhënë edhe një shifër të frikshme, duke treguar se që prej vitit 1981 kur është bërë regjistrimi i popullatës deri më sot, Kosova ka 400 mijë banorë më pak.
“Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre. Dhe Kosova po mundohet ta bëjë këtë. Por të gjithë jemi të brengosur që ta zëmë në vitin kur kam lindur unë dhe sot, Kosova i ka 400 mijë banorë më pak. Kurse ne jemi vendi me natalitetin më të madh në Evropë. Kjo na tregon se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Kjo duhet të jetë në fokus të mobilizimit të të gjitha institucioneve tona për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës ashtu, pra po flas për vitin 1981 kur është bërë regjistrimi I fundit e kur Kosova ka pasur përafërsisht 2 milionë banorë dhe sot në vlerësime të përafërta thuhet të jetë diku 1.6 milionë apo 1.7”, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka thënë se po flet me këtë shqetësim, meqë s’duhet të vijë viti 2060 e të thuhet që trendi ka vazhduar dhe që Kosova ka rënë në 1.2 milionë banorë. Ai ka thënë se një gjë e tillë s’duhet të ndodhë.
“Po flas kështu sepse s’dëshirojmë që të vijmë në vitin 2060 e të themi që ky trend vazhdoi po i njëjti dhe Kosova i ka 1.2 milionë banorë. Kjo nuk duhet të ndodhë”, ka potencuar Konjufca./Gazeta Express