Tuneli i hapur në Kardhiq, disa kilometra para se të mbërrjmë në Sarandë, i realizuar nga Qeveria e Shqipërisë dhe kompania Gjoka, e shkurton për mbi 1 orë rrugën për në Sarandë.
Bëhet fjalë për rrugën Kardhiq-Delvinë e ndërtuar nga kompania Gjoka dhe e cila pritet të shkurtojë rrugën drejt Sarandës – një destinacioni shumë të dashur e deri tash shumë të largët turistik – për plot tri orë.
“Udhëtimi nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun më afër,” – kishte shkruar ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro.
Pjesë e rrugës është edhe një tunel, i quajtur “tuneli i Skërficës” dhe i cili ka një gjatësi prej 1.3 kilometrash. Ai është i shoqëruar edhe me një tunel të emergjencës që ka gjatësi prej 670 metrash, duke respektuar të gjitha kushtet e sigurisë.
Gjatësia e kësaj rruge është 33 kilometra.
Çka do të thotë kjo për kosovarët?
Natyrisht, të gjithë ata kosovarë që duan t’i kalojnë pushimet verore në Sarandë dhe plazhet e tjera të jugut të Shqipërisë do të përfitojnë në masë të jashtëzakonshme nga kjo rrugë.
Kjo bën që rruga drejt Sarandës të jetë nga Prishtina tashmë dukshëm më e shkurtër se sa që ishte rruga e vjetër drejt Durrësit.
Por, kjo ka edhe kuptimet e saj politike.
Qeveria Kurti II duket tepër e përkushtuar në marrëdhëniet me publikun dhe në reklama. Ajo kishte prezantuar edhe ‘projekte’ të cilat në fakt nuk ishin fare projekte, siç ishte edhe pritja e refugjatëve afganë apo Parku i Erës që ishte investim gjerman i nisur gjatë kohës së Qeverisë Haradinaj.
Kryeminsitri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në llogarinë e tij në Facebook shpërndau një postim fare të thjeshtë të kësaj rruge mahnitëse.
Ai ndau një video dy-minutëshe ku ndahen pamjet mbresëlënëse nga rruga e shtruar, me një përshkrim fare të thjeshtë “Rruga e re Kardhiq-Delvinë”.
Nëse një projekt i tillë kaq gjigant do të bëhej nga Qeveria Kurti II dihet se fjalët s’do të kishin të numëruar derisa do të kishte edhe shumë video, fotografi, grafikone dhe të tjera paraqitje.
Kurti po kritikohet në vazhdimësi për mungesë të ideve që do të materializonin ndryshimin në vend, derisa së fundi po kritikohet edhe për mungesën e veprimeve në lidhje me krizën ekonomike.
“Nuk po pyesim se çka bën Putini, por se çka po bën Albini,” – ishte shprehur në një fjalim Lumir Abdixhiku nga LDK së fundi.
Në programin e Qeverisë Kurti II nuk janë paraparë projekte të mëdha infrastrukturore përkundër rritjes së buxhetit në 2.7 miliardë. Një projekt interesant është ai që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, por progresi në të nuk dihte deri tash. /Nacionale/