Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën dhe vendin fundjavën që shkoi. Një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë mbytur në lumin e Bunës, ndërkohë që trupi i një prej vajzave të saj, 9 vjeçe është gjetur deri tani.
Euronews Albania raporton se ditën e sotme kanë rinisur kërkimet në brigjet e Bunës në kërkim të trupave të nënës dhe 2 fëmijëve që mendohet të jenë mbytur.
“Është ende e paqartë sa i takon vendit ku janë hedhur, dyshimet janë se mund të jenë hedhur nga ura e Bunës por zona është shumë e populluar dhe do ta pikaseshin nga njerëzit apo turistët. Nga dëshmitë e marra 31-vjeçari Ergys Arrazi thotë se nuk ka pasur asnjë lloj dyshimi se mund të ndodhte kjo gjë, ndërsa të afërmit janë shprehur se nuk ka pasur dhunë mes çiftit dhe se ata jepnin përshtypjen e një çifti perfekt”, tha gazetari.
Sot në orën 14.30 do të mbahet ceremonia mortore për 9-vjeçaren që u nxor nga lumi, ndërkohë që në letrën e ceremonisë mortore nuk përmendeshin familjarët e Alma Arrazit.
Ceremonia mortore organizohet nga familja e babait, dhe nuk ka asnjë shenjë të familjes së nënës.