88 mijë e 500 euro u shpenzuan nga Zyra e Presidentes për gjashtë muaj – më së shumti para u harxhuan në akomodim jashtë vendit dhe bileta

88 mijë e 521 euro, janë harxhuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me anëtarët e tjerë të kabinetit të saj, gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Këto para u shpenzuan në dreka dhe darka zyrtare, në telefoni fikse, akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit, karburant për 7 vetura të Presidencës dhe aviobileta.

Bazuar në të dhënat që ka siguruar Telegrafi, përmes qasjes në dokumente publike, për periudhën janar-qershor 2023, më së shumti para u shpenzuan në akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit dhe aviobileta.

 

Vetëm presidentja Vjosa Osmani ka harxhuar 17 mijë e 912 euro për akomodim dhe aviobielta.

Ndërkaq këshilltarët dhe anëtarët e tjerë të kabinetit të Osmanit e që janë 11 persona, të gjithë së bashku harxhuan 55 mijë e 580 euro.

Pas Osmanit, më së shumti në akomodim jashtë vendit dhe aviobileta kanë harxhuar Blerim Vela, Learta Hollaj dhe Donjeta Miftari.

Për shpenzime të telefonisë fikse dhe karburant për vetura (7 vetura të Presidencës), gjatë gjashtë muajve u shpenzuan 9 mijë e 409 euro.