80 mijë euro donacion për Onkologjinë nga Jahjaga

Fondacioni Jahjaga ka ndarë një donacion në vlerë prej 80 mijë eurosh për Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me qëllim të mbështetjes së pacientëve dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka njoftuar se në dorëzimin e donacionit kanë marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtoresha e Fondacionit Jahjaga, Egzona Bexheti, si dhe përfaqësues të kompanive IP Petrol dhe ASG.

Në aktivitet kanë qenë të pranishëm edhe drejtori i QKUK-së, Mentor Zejnullahu, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, dhe pjesëtarë të personelit shëndetësor.

“Prania jonë sot këtu nuk nënkupton vetëm dorëzimin e një donacioni. Ajo përcjell një mesazh të rëndësishëm: asnjë pacient nuk është vetëm dhe nuk do të jetë vetëm në përballjen me sëmundjen”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shprehur mirënjohje për profesionistët shëndetësorë, veçanërisht për mjekët dhe infermierët, për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në kujdesin ndaj pacientëve.

“Që nga viti 2012, kam vizituar rregullisht QKUK-në dhe ndër vite kam parë zhvillime në klinikat e saj. Për këtë, shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për të gjithë profesionistët shëndetësorë, veçanërisht mjekët dhe infermierët, për punën, përkushtimin dhe kujdesin e përditshëm, që jo gjithmonë shihet nga jashtë, por që bën një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën e pacientëve”.

Megjithatë, ajo ka theksuar se ndihmat e tilla, ndonëse të rëndësishme, nuk mund t’i mbulojnë të gjitha nevojat e institucioneve shëndetësore.

“E dimë se një donacion i vetëm nuk mund t’u përgjigjet të gjitha nevojave të klinikave tona, por ai përfaqëson një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e solidaritetit, përgjegjësisë dhe mbështetjes së vazhdueshme për pacientët dhe sistemin tonë shëndetësor”, ka shkruar ajo.

Përndryshe gjatë ditëve të fundit, është raportuar se pacientja kishte ndërruar jetë si pasojë e mungesës së ilaçit Palbociclib, i cili kushton rreth 1 mijë e 800 euro dhe kishte munguar në Klinikën e Onkologjisë.

Megjithatë, si ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ashtu edhe QKUK-ja i kanë mohuar raportimet se vdekja e pacientes ishte shkaktuar nga mungesa e këtij ilaçi.

Ndërkohë, Vitia është ftuar nga deputetët për të raportuar në një interpelancë në Kuvend lidhur me këtë rast.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se pacientja për të cilën u raportua se ndërroi jetë pas mungesës së ilaçit Palbociclib kishte vazhduar trajtimin me terapi tjetër, ndërsa sëmundja kishte avancuar me metastaza të reja në tru dhe në boshtin kurrizor.

Në një video të publikuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Kurtishi ka sqaruar se pacientja e kishte marrë kutinë e fundit të Palbociclib-it më 13 maj, e cila i kishte zgjatur deri më 12 qershor, ndërsa më pas kishte vazhduar trajtimin me Fulvestrant.

Ai ka thënë se pacientja kishte siguruar vetë edhe dy kuti të Palbociclib-it për muajt në vijim, ndërsa trajtimin me terapi të avancuar e kishte nisur në dhjetor të vitit 2025.