Autore: Rina Asani
Ky shkrim mori dhenë për tri arsye.
E para arsye, dhe mbase më e rëndësishmja, është që lojtari i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, debutoi dje me një skuadër të re.
E dyta arsye, që mund të mos duket edhe aq e rëndësishme, është se te kjo skuadër ku debutoi Raçi ka luajtur, për shembull, edhe Vilson Gjoni.
E treta arsye, të cilës, njëjtë si të dytës, ia dimë rëndësinë vetëm në fund, është se Raqi nuk debutoi për gjithçfarë skuadre.
Ai dje debutoi për Hajdukun e Splitit.
Pak për Hajdukun, e pak për Splitin
Qytetin e Splitit e njohim për ishujt, turizmin, detin.
E njohim si qytetin e dytë më të madh në Kroaci, të vendosur në bregun lindor të Detit Adriatik, në rajonin e Dalmacisë. Mbani mend këtë rajon.
E njohim, shpresoj, si qytet të zhvilluar rreth Pallatit të Dioklecianit, një Sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërtuar në fillim të shekullit IV pas Krishtit nga Perandori Romak Dioklecian si vendi i tij i pensionit.
Besoj e njohim edhe për Rrivën, shëtitoren e famshme, e cila me patjetër është destinacioni i shëtitjes në breg, e i njohjes me atë çfarë Spliti në tërësi ofron.
E njohim për bukuritë natyrore, që janë shtylla kryesore ekonomike, me miliona vizitorë çdo vit, në fokus me ishujt përreth (Hvar, Brač, Vis) dhe plazhet. Prindërit e shumë prej nesh mund të kenë shkuar në Split për pushime, punë apo shërbim ushtarak.
E po t’i pyesnim në këtë moment se çka është Spliti, përgjigjja e tyre do të ishte e thjeshtë:
Është Hajduku.
Hajduku është skuadra e qytetit të Splitit. Është skuadër futbolli, e cila u themelua më 13 shkurt 1911 nga një grup studentësh kroatë. Tifogrupi i tyre quhet Torcida.
E ju mund të thoni: “Ah, qisi skuadra kemi krejt. Edhe tifogrupe kemi krejt.”
E këtu arsyeja e tretë merr rëndësinë e saj.
Kush janë rebelët dalmatë, çka është Hajduk Split?
Emri “Hajduk” ka kuptim heroik si luftëtar popullor kundër pushtuesit. Në folklor, hajduku paraqitet si trim, mbrojtës i të varfërve, ndëshkues i të padrejtëve. Në kontekstin kroat, “hajduk” u lidh me luftëtarët dalmatë dhe ushtarët kufitarë (ushtarët e Krajina-s) që shërbenin në ushtrinë Habsburgase dhe shpesh luftonin kundër osmanëve.
Përmbledhje historike e klubit dhe identitetit të tij
(*Bazuar në: Jurica Gizdić – Hajduk in Official Competitions, 100 Years of Hajduk, Hajduk’s Presidents dhe Hajduk’s Coaches; Dag Baldasar – The History of Hajduk by decades.)
HNK Hajduk Split u themelua më 13 shkurt 1911, në kohën kur Kroacia ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, nga katër studentë të Splitit që studionin në Pragë – Fabjan Kaliterna, Vjekoslav Ivanišević, Lucijan Stella dhe Ivan Šakić – me mbështetjen e Vladimir Šore dhe profesorit Josip Barač, i cili sugjeroi emrin “Hajduk”. Ky term, që do të thotë “luftëtar për liri” ose “renegat”, u zgjodh si simbol i rezistencës dhe aspiratave për liri të kroatëve. Që nga ndeshja e parë më 1911, Hajduk u bë shpejt një simbol i identitetit dalmatin dhe qytetit të Splitit.
Në dekadat e para, klubi dominoi kampionatet rajonale, ndërsa në vitet 1920 fitoi titujt e parë kombëtarë dhe krijoi reputacion unik, si fakti që në vitin 1924 përfaqësoi pothuajse të gjithë kombëtaren e Jugosllavisë në një ndeshje zyrtare. Përveç futbollit, Hajduk u bë pjesë e kulturës qytetare, madje në vitin 1926 u kompozua një operetë kushtuar klubit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hajduk refuzoi të bëhej klub i ushtrisë në Beograd, duke ruajtur identitetin dhe lidhjen me qytetin. U bashkua me lëvizjen antifashiste dhe mori njohje të rrallë nga Charles de Gaulle si “Ekip Nderi i Francës së Lirë”. Pas luftës, kapiteni legjendar Frane Matošić dhe të tjerë e kthyen klubin në një forcë të pathyeshme, ndërsa më 1950 u themelua grupi i tifozëve Torcida – më i vjetri në Evropë.
Vitet 1970 shënuan epokën më të lavdishme: katër tituj kombëtarë dhe pesë kupa radhazi, me trajnerë si Tomislav Ivić dhe lojtarë ikonë si Jurica Jerković, Slaviša Žungul e Dragan Holcer. Poljudi, stadiumi i ri i hapur më 1979, u bë tempulli i klubit. Megjithatë, Hajduk shpesh u ndal në prag të suksesit europian, duke humbur për shkak të rregullit të golit jashtë fushe.
Në vitet 1980, pavarësisht mungesës së titullit të ligës, klubi fitoi disa kupa dhe u shqua në Kupën UEFA, me yje si Blaž Slišković dhe Aljoša Asanović. Fundi i dekadës solli tensione politike dhe fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Me pavarësinë e Kroacisë, Hajduk fitoi kampionatin e parë kroat (1992) dhe, në sezonin 1994/95, të vetmin “dopiet” në historinë e tij. Klubi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke përballuar gjigantë si Ajax. Megjithatë, fundi i viteve ’90 solli sfida financiare dhe sportive, edhe pse u fitua Kupa e Kroacisë (2000) me një gjeneratë të re premtuese.
Nga krejt kjo mund të kuptojmë se Hajduku nuk është thjesht një klub futbolli. E le të shpresojmë që leximi i kësaj pjese i ka dhënë sado pak rëndësi arsyes së dytë.
Vilson Gjoni – Kosovari i parë në “gjeneratën e artë” të Hajdukut
Në historinë e lidhjes së përhershme mes Hajdukut të Splitit dhe Kosovës, emri i Vilson Gjonit shfaqet si fillimi i saj. I lindur në Split më 1950, por me rrënjë nga Prizreni, ai u bë njeriu i parë me origjinë kosovare që veshi fanellën e bardhë të Hajdukut në “gjeneratën e artë” të viteve ’70. Ai debutoi në elitën e futbollit jugosllav në sezonin 1968/69 dhe u shndërrua shpejt në një nga mbrojtësit më të spikatur të kampionatit.
Me Hajdukun ai fitoi tre tituj të kampionit të Jugosllavisë (1971, 1974, 1975) dhe pesë Kupa të Jugosllavisë (1972, 1973, 1974, 1976, 1977), duke qenë pjesë e një ekipi që dominoi futbollin e vendit. Në vitin 1978 kaloi te Dinamo Zagrebi, ku si mbrojtës arriti një rekord të rrallë — 11 gola në një sezon. Kjo paraqitje mbresëlënëse e çoi në Bundesligë me Schalke 04, ku zhvilloi 55 ndeshje dhe shënoi 6 gola, e më pas te SG Wattenscheid 09, ku luajti 130 ndeshje dhe realizoi 19 gola.
Për kombëtaren e Jugosllavisë u aktivizua katër herë (1974–1978), ndërsa kulmi i karrierës së tij individuale erdhi në vitin 1978, kur u shpall Futbollisti më i mirë i Jugosllavisë. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Gjoni vijoi kontributin në futboll si skaut. Jeton ende në qytetin e Splitit.
Nga Prishtina në Split – Ron Raçi
Dje, në minutën e 85-të kundër Goricas, në fushën e Poljudit për herë të parë shkeli Ron Raqi. Raqi bëhet kosovari i fundit që u bë pjesë e të bardhëve të Splitit. Transferimit të tij në Hajduk i paraprijnë emrat si Gjoni, Xhevat Prekazi e Ardian Kozniku. Pra, jo një gjithfarë “legacy”. Nga qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës pritet performancë si ajo në Prishtinë, e cila nga klubi i qytetit ia siguroi minutat në ndeshjen e Kombëtares së Kosovës dhe besimin e Franco Fodës.
Mes debutimit të Gjonit dhe debutimit të Raqit janë 57 vite. Gjatë këtyre 57 viteve, Kosova, me krejt problemet e saj, ka prodhuar futbollistë që kanë mbrojtur ngjyrat e shumë klubeve të mëdha evropiane.
Por Hajduku është klubi që asnjëherë nuk e ndërroi emrin e vet përgjatë historisë.
Është klubi me grupin e parë zyrtar të tifozëve në Evropë, të emëruar Torcida Split, të themeluar në vitin 1950.
Është klubi që në një ndeshje të Ligës së Parë kroate grumbullon mbi 20,000 tifozë në stadium.
Është klubi i cili, për shkak të direktivave politike gjatë viteve, luajti pa stemën tradicionale, pasi ajo përmbante shqytin me kuadratin kroat gjatë një periudhe të ndjeshme tranzicioni.
Është klubi që deri diku, na përkujton Kosovën, e shpirtin e saj rezistues.
Kur u nis ky shkrim, u përmendën tri arsye. Të trija janë njësoj të rëndësishme. Por mund të mos i vlerësojmë njësoj, në mungesë të informacionit.
Jemi natyrisht të bindur se secili klub e ka rëndësinë e tij.
Por brenda Hajdukut gjejmë një kronikë të gjallë të një sporti – aty ku historia jeton në fushën e futbollit, me çdo pasim, gol dhe brohoritje që sfidon harresën.
Faleminderit Ronit që na e përkujtoi.