55 ditë që nga ngujimi i Lulzim Hetemit në komunë

Sot kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e ka përmbyllur ditën e 55-të i ngujuar në ndërtesën e komunës. Çka dimë për fatin e tij deri tash?

Ishte ditë e diele si sot. Data në kalendar shënonte 28 maj. Dy ditë më parë kishte pasur protesta në tri komunat veriore me shumicë serbe pasi kryetarët shqiptarë të zgjedhur ishin futur nëpër ndërtesat ku duhej të shërbenin nën shoqërimin e policisë.

Në atë të diele, Lëvizja Vetëvendosje që drejtohet nga Albin Kurti kishte mbajtur një mbledhje. Aty besohet të ishte vendosur që Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, duhej ta bënte një sakrificë të madhe: jo vetëm që do të futej brenda ndërtesës, por edhe do të ngujohej në të.

Dhe, ashtu ndodhi. Hetemi u fut brenda ndërtesës në mëngjesin e hershëm të 29 majit për të mos u kthyer më. Bashkë me të besohet se ishte deputeti Salih Zyba, që qëndroi dy-tri ditë.

Por, Zyba nuk do të fliste gati asgjë për ngujimin në ndërtesën komunale. Se si ishin kushtet aty e se çka ndodhte do ta mësonim përmes zv. ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe aktivistit Arbër Vokrri. Ai do të qëndronte bashkë me Hetemin për nëntë ditë.

Kushtet

55 ditë nuk mund të kalohen edhe aq kollaj. Sidoqoftë, Vokrri do të tregonte me habi se sa e mirë dhe luksoze ishte ndërtesa në fjalë.

“Deri tash nuk kom pa naj ndërtesë komunale më të pajisur, edhe t’ju them ma – kushtimisht – luksoze… Ndërtesë shumë e rregulluar, me shumë hapësirë. Të pastra, të pajisura me teknologjinë e fundit… Në atë kuptim ta jepte përshtypjen që nuk je thjesht në një ndërtesë të zakonshme të institucioneve në Kosovës por gati gati si në hotel…” – shpreh ai.

Vokrri megjithatë dëshmonte edhe për mungesat që ekzistonin në atë ndërtesë. Mungonin banjot me dush dhe mungonte edhe Interneti.

“Por, çka mungonte – për të ia vendos edhe yjet si një hoteli – ishin banjot ku mund të bëje dush. Tash është bërë një muaj për kryetarin (dhe kjo) është një farë sdide,” – theksonte ai.

Zv. ministri shpjegonte se larjen e kryenin përmes enëve.

Mjegulla

Në lidhje me ngujimin e z. Hetemi brenda ndërtesës komunale kanë folur shumë e shumë personalitete, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, por arsyeja pse po ndodh një gjë e tillë megjithatë mbetet e paqartë.

Qysh në javën e parë të ngujimit, kryeministri Albin Kurti në mënyrë të çuditshme i kishte dhënë mbështetje publike aktivistit të partisë së tij që po rrinte i mbyllur në komunë.

“…për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.” – shkruante z. Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

E mes atyre që tashmë dihet se i kërkuan të largohet nga zyra ishte edhe KFOR-i, siç informoi z. Arbër Vokrri.

Oso Kuka?

Një tallje të rëndë drejtuar Lulzim Hetemit e kishte bërë kryeministri Edi Rama duke e krahasuar përbuzshëm me heroin kombëtar Oso Kukën.

Ai e kishte përmendur Oso Kukën në dhjetëra raste duke e treguar atë që sipas tij është politikë absurde e Kosovës që po e prish me botën perëndimore.

Kryeministri Kurti në anën tjetër ka pasur krejtësisht fjalë të tjera duke e lavdëruar Hetemin për “qëndresën e tij”.

Por, paksa talljeve iu kishte fryrë edhe vetë z. Hetemi përmes një komenti në rrjetet sociale ndaj një vajze. “Respekt bukuroshe!” – i thoshte ai asaj.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 10 korrik ka arritur një marrëveshje për hapat e parë drejt shtensionimit e ku parashihet që të ulet prania e njësisë speciale në dhe rreth ndërtesave komunale. Ajo përfshin edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, çka efektivisht do ta largonte Hetemin nga detyra e tij si kryetar komune i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Deri tash nuk ka pasur ndonjë reagim të fortë publik nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut për rastin e z. Hetemi./Nacionale