39 të arrestuar, mbi 1 milion € të bllokuara, 400 policë në aksion: detaje për arrestimin e dy ish-udhëheqësve të BKS-së

Prokuroria e Prizrenit ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë dhënë detaje për aksionin e sotëm e në të cilin u arrestuan dy ish-udhëheqës të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Fjala është për Sami Mazrekun edhe Valon Berishën.

Kryeprokurori Petrit Kryeziu ka deklaruar se hetimet kanë nisur që nga marsi i vitit 2025, dhe më pas janë zgjeruar, duke kulmuar sot me bastisje në 47 lokacione.

“Fjala është për keqpërdorimet qëjanë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve, cak në mesin e hetimeve janë ish-drejtori i BKSS, dhe ish-drejtori i financave, të cilët duke keqpërdorur autorizimet, iu kanë mundësuar personave vetvetes, të bartin transaksione, ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm të madh Byrosë, kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, dhe ato i kanë përdorur si të mirëqena, duke shkaktuar dëm në vlerë 1 milion e 43 mijë euro”, tha Kryeziu, raporton Nacionale.

Ai bëri të ditur se kanë arritur të gjejnë qindra transaksione të dyshimta, e pagesa që janë bërë nga Byroja pa asnjë dokument të vetëm.

“Ne kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, mesin e tyre, 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore. I kanë kompensuar në vitin 2022-2023, përderisa personat e tjerë vetëm kanë qenë të kompensuar në vitet 2016-2017. Kanë aplikuar edhe 141 transaksione te persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm, dhe kanë bartur shuma të ndryshme, më e vogla ka qenë mbi 6 mijë euro, më e larta 68 mijë euro”, tha Kryeziu më tutje.

Në total, janë bllokuar mbi 1 milion e 300 mijë euro, përderisa në aksion kanë qenë të përfshirë rreth 400 policë.

“I kemi pasur 46 persona fizikë, 39 të arrestuar për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Aksioni i sotëm në krejt Kosovën, nuk ka pasur regjion pa arrestime ditën e sotme. Vlen të theksohet se për sekuestrime, kemi gjetur të holla cash 23 mijë e 700 euro, ari, akesorë, orë të ndryshme, armë, e pajisje elektronike. Kemi bllokuar të holla në vlerë 1 milion e 300 mijë euro. Rreth 400 zyrtarë policorë, 8 prokurorë kemi qenë në terren”, tha ai.

Kryeziu tha se disa të dyshuar janë jashtë Kosovës, andaj hetimet do të vazhdojnë.

“7 prej tyre janë jashtë Kosovës, dhe secili për veprimet që ka bërë, do të përgjigjen. Ne do të kujdesemi që në kuadër të mandatit që kemi, Byronë ta kompensojmë cent më cent, çdo keqpërdorim. Jemi në faze të hershme e mund të kemi vepra të tjera”, tha ai.