Foto: Ilustrim
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestimin nga policia serbe të shtetasit kosovar dhe asaj britanike, Sadik Durakut në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci.
Në një përgjigje për Klan Kosova, MPJ thotë se lidhur me këtë rast, ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ka informuar vendet e QUINT-it të akredituara në Serbi.
“Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari po ashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin”.
Tutje në përgjigjen e dhënë për klankosova.tv, MPJ bën të ditur se Sadik Durakut i është dhënë terapi përkatëse për shkak se gjendet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse”.
Duraku është arrestuar nën pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe gjatë viteve 1999.
Ministria e Jashtme konfirmon po ashtu raportimet e klankosova.tv, se Duraku ka dalë sot para gjykatës në Beograd, ndërsa dhe të njëjtit tashmë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
“Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”.
Sipas Minstrisë së Jashtme, Sadik Duraku, u ndalua nga autoritetet serbe ndërsa ishte duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale.
“Në lidhje me pyetjet tuaja deklarojmë se sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. Ai ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale”.
“Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd’’.
Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit.
Mes tjerash Ministria e Jashtme tha se ambasadori Jashari, po ashtu ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij e cila pritet të realizohet ditët në vijim.