3.9 për qind pritet të jetë rritja ekonomike sipas BQK-së, por mbetet nën trendin e viteve paraprake

Banka Qendrore e Kosovës ka parashikuar një rritje ekonomike prej 3.9 për qind për vitin 2024.

Partia në pushtet ishte e rrufe e shpejtë në dizajnimin e kësaj shifre për ta postuar në faqen e tyre në Facebook. Megjithatë, sipas ekonomistit Edison Jakurti, nëse projeksioni i BQK-së do të rezultonte real, kjo do të thotë se rritja mbetet nën trendin që ka pasur Kosova.

BQK, në raportin e Vlerësimit Tremujor të Ekonomisë, parashikoi një rritje ekonomike 3.9 për qind për këtë vit që pritet të mbështetet nga “rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve, kundrejt ndikimit negativ të importit të mallrave dhe shërbimeve në BPV.”

Jakurti theksoi se ndërmjet viteve 2009 dhe 2019, Kosova përjetoi një normë mesatare vjetore të rritjes reale ekonomike rreth 4.7 për qind.

Ish-zëvendësministri në MEPTINS në qeverinë Kurti bëri të ditur se rritja e parashikuar prej 3.9 për qind për vitin 2024 paraqet një rënie nga trendi paraprak.

“Pas Shpalljes së Pavarësisë, në periudhën 2009-2019, mesatarja e rritjes reale ekonomike në Kosovë ka qenë rreth 4.7%. Pas vitit 2020, kur ndodhi mbyllja e madhe për shkak të COVID-19, në vitet 2021, 2022 dhe 2023, rritja reale ekonomike ishte 10.7%, 5.2%, dhe 4.3% respektivisht. Sipas parashikimeve të BQK-së, gjatë 2024 ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 3.9%. Nëse ndodh kjo, do të thotë që rritja aktuale është nën trendin që kemi pasur. Shto këtu faktin që 1) ky është parashikim dhe jo realizim, dhe 2) rritja ekonomike si e tillë nuk është zhvillim ekonomik. Me fjalë të tjera: asgjë e re nën diell, asgjë për të festuar fatkeqësisht.” – tha ai në Facebook.

Rritjet e pretenduara ekonomike

Qeveria Kurti në vazhdimësi ka promovuar me krenari “rritjet ekonomike”. Megjithatë, krahasuar në aftagjatë, statikat kanë treguar në vazhdimësi një realitet më të nuancuar.

Në vitin 2021, Kosova përjetoi një rritje të jashtëzakonshme ekonomike prej 10.7 për qind. Kjo shifër, megjithatë, nuk buronte nga ndonjë masë specifike e zbatuar nga qeveria Kurti [shih figurën 1].

Me marrjen e pushtetit të qeverisë Kurti në mars të vitit 2021, rritja reale e Bruto Produktit Vendor ishte 16.32 për qind për gjysmën e parë të vitit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovë. Megjithatë, në tremujorin e dytë të vitit pasues, rritja ishte ngadalësuar në mënyrë drastike në 2.14 për qind.