26-vjet nga fillimi i Betejës së Koshares ku ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK’së

Sot bëhen 26 vjet nga fillimi i Betejës së Koshares, njëra nga betejat më të mëdha dhe më heroike të UÇK-së.

Kjo betejë nisi me marrjen e bazës ushtarake serbe në fshatin Koshare të Gjakovës nga njësitë e UÇK-së dhe zgjati deri në kapitullimin e Serbisë me 12 qershor të vitit 1999.

Në këtë betejë ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe komandantët Agim Ramadani, Sali Çeku, Abaz Thaçi e Xhemajl Fetahaj.

Po ashtu 170 të tjerë u plagosën.

Nga tjetër, edhe serbët kanë pranuar humbjet e mëdha të tyre në këtë betejë, humbje që arrijnë në qindra të vrarë e të plagosur.

Një karakteristikë e kësaj beteje është se në mesin e të vrarëve gjenden edhe luftëtarë nga shtete të tjera.

Një kapiten i ushtrisë ruse është vrarë duke luftuar në anën e ushtrisë serbe, ndërsa një francez, një italian dhe një algjerian janë në mesin e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Beteja e Koshares ka hyrë në histori si beteja e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, kufi i cili ishte vendosur pa vullnetin e shqiptarëve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.