Një skandal ka shpërthyer gjatë kësaj jave në Spitalin e Vushtrrisë. Atje janë arrestuar dy kirurgë e një tjetër po kërkohet nën dyshimin për “marrje ryshfeti”. Dy mjekët, Dr. Arsim Latifaj e Dr. Ekrem Sefiu, u ndaluan të martën. I treti, Dr. Isuf Zekaj, ka ftesë nga policia që të paraqitet në stacionin policor, por ai ende nuk është paraqitur në hetuesi. Për Nacionalen, një familjar i një pacienteje ka rrëfyer se si Dr. Isuf Zekaj i ka marrë para në shumën e 250 eurove me arsyetimin se do të blejë penj kirurgjikalë për operimin e nënës së tij. Për Nacionalen, ky person ka rrëfyer për bisedën me Dr. Zekajn dhe më pas operimin e nënës së tij.
Në dhjetorin e vitit 2021, Premtim Fetahu nga Podujeva ishte ballafaquar me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të nënës së tij 61-vjeçare. Nëna e Premtimit kishte gurë në veshka e, si rrjedhojë, duhet të operohej që shëndeti i saj të përmirësohej.
Operacionin familja vendosi që ta kryente në spitalin e Vushtrrisë, “Sheikh Zayed” , te kirurgu Isuf Zekaj. Nga familja e 62-vjeçares theksojnë se pas konsultave në ordinancën private me kirurgun Zekaj, ata kishin vendosur që operimin ta bënin në spitalin publik te po i njëjti mjek.
Por, për këtë punë, familja e 61-vjeçares thotë t’ia ketë dhënë mjekut Zekaj 250 euro që të blinte penj për ta kryer operimin e nënës. Penjtë, sipas familjes, i kishte siguruar vetë mjeku qe do ta kryente operacionin.
Në një deklaratë për Gazetën Nacionale, Premtim Fetahu ka rrëfyer se si në dhjetorin e vitit 2021 ia ka dhënë kirurgut Isuf Zekaj 250 euro.
“250 euro ia kam jap nalt në spital (Spitalin e Vushtrrisë), para se me shti në operacion në sallë. Atë ditë e kanë operu. Atë ditë tha: “Unë i kom marrë ata pejtë e çka shkojnë për aty”. Edhe më tha: “250 euro”. Thashë: “Në rregull, doktor, qe ku i ke”. I mori 250 euro. Kam parë edhe të tjerë familjarë të pacientëve që kanë hyrë në të njëjtën dhomë, unë i thosha “dhoma e rrëfimeve” – ka thënë Premtim Fetahu, familjar i pacientit, për Nacionalen.
Tutje, ai thekson se e ka pyetur mjekun nëse do të mundte që vetë t’i blinte penjtë. Sipas tij, Dr. Isuf Zekaj i ka thënë se vetë do t’ia siguronte ata penj.
Më tej, ai tregon se si mjeku e ka pyetur edhe se cilin lloj të penjve po e duan për operacionin e nënës.
“I kam thënë, po më ka thënë se janë mungesë ata. I thashë: “A mundem me i marrë vetë?” Tha: “Jo, se s’i dini”. Tha: “A doni 150, janë ma të dobët, a 250?” Na i zgjodhëm 250. Nga operacioni gjithçka ka shkuar shumë mirë. Ai (mjeku) na i ka bo me fletëlëshim, me të gjitha, edhe ne veç kemi dalë”- rrëfen tutje Premtimi.
Nga familja që po ankohen për mjekun Zekaj po theksojnë se operimi i nënës së tyre është bërë më 20 dhjetor të vitit 2021 pas orës 12:00 pasdite.
Kirurgu Isuf Zekaj ende nuk është arrestuar
Gjatë ditës së martë të 10 janarit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë si të dyshuar për marrje ryshfeti, ndërsa i treti është ende në kërkim.
Tre kirurgët, po ashtu, janë pezulluar nga puna në këtë spital.
E nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës të enjten dhanë hollësi se mjeku Isuf Zekaj ende nuk është arrestuar.
“Deri tani, i dyshuari me iniciale I.Z. nuk është arrestuar” – thanë nga Prokuroria.
Ndërkohë, sa i përket të pandehurit Ekrem Sefiu, gjykata e ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
“….kurse ka refuzuar kërkesën e PTH Mitrovicë për caktimin e paraburgimit, mirëpo Prokuroria Themelore në Mitrovicë brenda afatit ligjor do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës”- kanë sqaruar tutje nga Prokuroria.
Kujtojmë se tre kirurgët janë të dyshuar për veprën “marrje ryshfeti” pas raportimit të Gazetës Shneta, ku u publikuan video-dëshmi të pacientëve dhe familjarëve, të cilët tregojnë se si u kanë dhënë para mjekëve për t’i kryer operacionet.
Hetimet për këtë punë po i vazhdon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Kujtojmë se kirurgët janë pezulluar edhe nga puna në Spitalin e Vushtrrisë.
“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. Isuf Zekaj, shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. Ekrem Sefiu dhe dr. Arsim Latifaj suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”- ka thënë për mediat drejtoresha e spitalit, Dr. Shekfije Shatri./Nacionale.com/