11 punëtorë vdiqën në vendin e tyre të punës vitin e kaluar, ndërsa, 330 të tjerë pësuan lëndime. Inspektorati Qendror i Punës tha se ka rritur numrin e inspektimeve dhe shqiptimin e gjobave për të ngritur nivelin e sigurisë dhe mirëqenies së punëtorëve në vendin e punës.
Njohës të sigurisë dhe shëndetit në punë thonë se punëdhënësit nuk janë të përgjegjshëm për sigurinë e punëtorëve të tyre.
Një ditë e re e punës edhe pse mund të planifikohet të jetë ditë produktive, ajo mund të jetë dita e fundit e jetës, si pasojë e pasigurisë në vendin e punës.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, të dhënat statistikore për aksidentet në vendet e punës, që përfundojnë me fatalitet, janë shqetësuese.
“Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoriatit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën. Këto të dhëna duhet të jenë thirrje për institucionet që të marrin masa për tu siguruar jetën dhe shëndetin e punëtorëve dhe të përmbushin detyrimet që kanë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Edhe vitin e kaluar, 11 punëtorë humbën jetën në vendet e tyre të punës, prej të cilëve 70% në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa mbi 300 punëtorë të tjerë pësuan lëndime.
Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, thotë për RTV21 se vazhdimisht po rrisin numrin e inspektimeve dhe shqiptimin e gjobave, në mënyrë që të ngrisin nivelin e sigurisë në punë.
“Inspektorati i punës gjatë vitit 2023 ka realizuar 8,100 inspektime dukshëm më shumë se vitin 2022, ku ka realizuar mbi 6 mijë inspektime. Këto inspektime janë realizuar me qëllimin e mbikqyrjes së dispozitave ligjore nga ligji për siguri dhe shëndet në punë, përkatësisht mbikqyrjen e kushteve të punës në tregun e punës…vitin e kaluar 11 persona kanë vdekur, dhe janë aksidentuar 330 punëtorë, krahasuar me vitin 2022 ku 15 kanë vdekë dhe janë aksidentu 405 punëtorë në fushëveprimtarinë e punës”, tha Nikçi.
Por, sa punëdhënësit krijojnë ambient të sigurtë për punëtorët e tyre?
Naim Bajraktari nga Kompania për Siguri dhe Shëndet në Punë, thotë se vetëdijësimi i punëtorëve dhe punëdhënësve është në nivel jo të kënaqshëm.
Ai vlerëson se kompanitë nuk janë aspak të përgjegjshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve të tyre.
“Unë jam pak më i vrazhtë në këtë drejtim sepse të them 0, ndoshta pak më shumë se 0 por shumë pak. Punëdhënësit janë bartësitë kryesor të përgjegjësisë së shëndetit në punë. Punëdhënësit janë të interesuar vetëm sa i përket mbrojtjes nga ligji që shkon kontrolla nga inspektoriati apo nga fatkeqësitë kur ju ndodhin, që mjersisht atëhere janë të interesum për masat që do marrin, me një fjalë punëdhënësit janë shumë pak të interesum për krijimin e kushteve për siguri në punë të punëtorëve…mjerisht…”, tha Bajraktari.
Inspektorati Qendror i Punës ka angazhuar rreth 40 inspektorë të rinj në këtë rrafsh, duke rritur numrin e inspektorëve në 63