10 ditë nga fillimi i procesit, janë regjistruar 200 mijë banorë rezidentë në gjithë Kosovën.
Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Nga ASK-ja thanë se janë regjistruar edhe banorë të komunitetit serbë nga katër komunat veriore të Kosovës, pavarësisht thirrjes së Listës Serbe për bojkotim të këtij procesi.
“Këto ditë kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë nga komunat veriore. Kemi persona të regjistruar nga komuniteti serbë që janë regjistruar vullnetarisht, përkundër që kanë pasur sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit”, ka thënë Avni Kastrati, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv i ASK-së.
Në konferencë për medie të hënën, zyrtarët e ASK-së po ashtu thanë se kanë pranuar disa ankesa mbi punën e regjistruesve në terren.
“Ka disa sfida, të disa pyetje, disa ankesa të qytetarëve nga ana e regjistruesve, janë ankesa të vogla por ne do dëshironim të mos ketë fare. Ju bëj thirrje qytetarëve, kanë të drejtë, me shikua secilën pyetjet që përgjigjet, si po i plotëson regjistruesi”.
Regjistruesi e ka për obligim me i lexuar të gjitha pyetjet?.
Sipas ASK-së, nëse procesi vazhdon të zhvillohet me dinamikën e tillë, si në 10 ditët e para, pritet të përfundojë para datës 17 maj.