Lista e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK është reduktuar nën 4 muaj, nga mbi një vit sa ishte më parë.
Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, duke sqaruar se gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti janë kryer mbi 1,000 operacione në dy salla operative.
Sipas SHSKUK – së salla e tretë përdoret për intervenime të klinikave të tjera si Pediatria, Neurokirurgjia dhe ORL, ndërsa salla e katërt për rastet kardiokirurgjike.
Po ashtu, klinika po përdor procedura të reja diagnostike dhe terapeutike, përfshirë operacione laparoskopike, litotripsinë laserike dhe ureterorenoskopinë, ndërsa së shpejti pritet të fillojë endoskopia e traktit urinar.