Sipas Insajderit, pushteti i AAK-së në Gjakovë një pronë të kontestuar ia ka dhuruar një serbi

Një pronë e vlefshme e mbajtur deri tash nga Komuna e Gjakovës që drejtohet nga Ardian Gjini i AAK- së ka kaluar në pronësi të një serbi. Ishte në kontest. Rasti është denoncuar në Prokurori, ajo kaloi pa procedura gjyqësore nga komuna tek Dushko Bajoviq. Prokuroria në Gjakovë ka nisur hetimet. Insajderi sjell detaje ekskluzive nga ky rast.

Florent Ukmata e kishte me qira nga Komuna e Gjakovës lokalin afarist që ndodhet në rrugën “Nëna Terezë”, në përdhesen e ndërtesës IV, që në qytet njihet si lokali “Road House”, në Çarshinë e Vogël, por vetëm pastaj në vitin 2022, kjo pronë iu kalua qytetarit serb, Dushko Bajoviq.

Si rrjedhojë, Florent Ukmata në cilësinë e të dëmtuarit e kallëzoi penalisht Drejtorinë për Gjeodezi Kadastër dhe Pronë – Komunën e Gjakovës, duke kërkuar që të identifikohen zyrtarët përgjegjës për ndryshmin e pronësisë.

Ai pretendon se pati falsifikim dokumentesh dhe abuzim me këtë pronë publike.

Beteja për uzurpimin e kësaj prone nga serbi zgjati për më shumë se 10 vite.

“Në vitin 2010, Dushko Bajoviq përmes kallëzimit penal ka pretenduar se Florent Ukmata ka uzurpuar pronën në fjalë, mirëpo gjatë shqyrtimit gjyqësor në gjykatë në këtë çështje penale është tërhekur Prokurori i shtetit atë kohë, për shkak se pas dëgjimit të avokates së Komunës në  cilësi të dëshmitares, është vërtetuar se Dushko Bajoviq nuk ka qenë e as nuk është pronar i pronës në fjalë, por pronare legjtime është Komuna, sepse sipas avokates në atë kohë kontratat mbi pronësinë që ka pretenduar Dushko nuk janë të legalizuara në gjykatë dhe në shkresa të lëndës nuk ka asnjë fletëpagesë që do të dëshmonte se i njëjti ka blerë ndonjëherë këtë pronë të Komunës, andaj edhe Gjykata ka nxjerrë Aktgjykim Refuzues, tashmë i plotfuqishëm”, thuhet në kallëzimin penal që e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Ani pse ekziston një vendim i gjykatës, që dëshmon se Dushko nuk ka të drejt mbi këtë pronë, në muajin korrik të këtij viti Ukmatës, i kërkohet ta lirojë pronën, ndërkohë që prona i takonte komunës.

“Në vitin 2024, i dëmtuari pranon përmes gjykatës padi për lirim të pronës dhe propozim për masë së sigurisë në procedure civile, parashtruar nga Dushko Bajoviq. Ky fakt e gjen të habitur palën e dëmtuar pasi që kjo çështje ishte sqaruar në vitin 2014, ku vetë Komuna ka deklaruar se Dushko nuk e ka dokumentacionin e plotë lidhur me këtë paluajtshmëri, dhe pasi kishim vendim të plotfuqishëm gjyqësor nuk kontestohej me pronësia mes Komunës dhe Dushkos“, thuhet në padi.

Si rrjedhojë, pala e dëmtuar pretendon se kalimi i pronës tek serbi u mundësua përmes zyrtarëve të Drejtorisë së Gjeodezisë në Gjakovë.

“Në procedurë civile Dushko ka bashkangjitur certifikatën e pronësisë që dëshmon se që nga viti 2022 kjo pronë la kaluar në emrin e tij, e gjithë kjo ka ndodhur pa procedurë gjyqësore civile për vërtetimin e pronësisë, por pronësia ka ndryshuar drejtpërdrejte nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadaster dhe Pronë – Komuna e Gjakovës“.

Bazuar në kallëzimin penal që e ka siguruar Gazeta Insajderi, pala e dëmtuar, Florent Ukmata potencon se kjo drejtori nuk i kishte mundësuar qasje në historiatin e pronës.

“Si palë e dëmtuar kemi kërkuar Historiatin e pronës, të përditësuar por nuk na kanë ofruar, kemi kërkuar po ashtu vendimin që është bërë kjo bartje e pronësisë, po ashtu as këtë kjo drejtori nuk na ka afruar. Siç e dijmë, juridikisht edhe në aspektin penal, e veçanërisht  në aspektin civil është pothuajse e pamundur të tjetërsohet prona publike apo të kaloj në pronësi private, madje prona publike gëzon mbrojtje edhe nga institutit i parashkrimit, krejt kjo me qëllim që e njëjta të mbrohet dhe të mbetet pasuri publike, e jo private”.

Tutje, ky kallëzim penal përshkruan dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe abuzim me pronën publike në Komunën e Gjakovës gjatë viteve ’90.

“Gjatë kësaj periudhe, për arsye politike, pronat komunale u kaluan në pronësi private të serbëve, duke u mbështetur në dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirë skica gjeodezike dhe fletëpagesa. Në rastin konkret, hetimi zbuloi se për një parcelë tokë nuk kishte kontratë për bashkimin e mjeteve, por u përdorën dokumente që përfshinin fletëpagesa dhe skica të dyshimta”.

Theksohet se, sipas procedurave zyrtare, nuk ka dëshmi që pagesat janë kryer, dhe fletëpagesat e paraqitura mund të jenë të falsifikuara. Për këtë arsye, ka dyshime se dokumentet e përdorura për ndryshimin e pronësisë janë të pavërteta.

Në kallëzimin penal përmenden dëshmitarë, përfshirë avokatë dhe zyrtarë komunalë, të cilët do të thirren për të dhënë dëshmi në lidhje me rastin.

Gjithashtu, dokumenti përfshin edhe kërkesën për verifikimin e dokumenteve të dërguara në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Kadastrën, si dhe komunikimet me autoritetet relevante për të përcaktuar vërtetësinë e këtyre dokumenteve.

Për më tepër thuhet se në vitin 2012 vet Komuna ka konstatuar, ka sqaruar se si e gjithë kjo sipërfaqe lokalet nën banesa në Çarshi të Vogël, janë ndarë në 3 pjesë, një pjesë ka kaluar në emër të M.L, tjera P.S e më pas te N.S ndërsa pjesa e mbetur në sipërfaqe prej 48.18m ka mbetur në pronësi të Ndërmarrjes publike banesore – Gjakovë.

“Situata është e qartë, nëse e krahasojmë me të lartcekurit që kanë bartur pronën sipas ligjit, përse Dushko Bajoviq nuk ka bartur  pronësinë deri më tash nëse i paska pasur dokumentet sikur personat e lartcekur në 2004“.

Ukmeta përmes kallëzimit penal ka hedhur dyshimet se ky ndryshim u mundësua gjatë pushtetit të Ardian Gjinit.

“Me ndryshimin e menaxhmetit të Kadastrit ndër vite ka pasur tentime e indikacione të vazhdueshme për ndryshimin e pronësisë të lokalit në fjalë, por kjo nuk ju ka mundësuar për të shkak të dosjes jo të plotë, por ky ndryshim çuditërisht u mundësua në vitin 2022“.

Gjithmonë sipas asaj që thuhet në padi, ka dyshime se prapa këtij serbi qëndron një shqiptar i cili i kishte ofruar një shumë të konsiderueshme të dëmtuarit për t’ia blerë këtë pronë.

“…Sipas informacioneve të pakonfirmuara, prapa, Dushko Bajoviqit qëndron një person tjetër shqiptar me autorizim të noterizuar në Kosovë, që pas fitimit të pronësisë ia ka premtuar që të njëjtit do t’ia dhuroj këto prona kinse në emër të borxhit, i cili në mënyrë indirekte kërkuar nga i dëmtuari që t’ia shes lokalin në vlerë 160.000 euro, të dëmtuarit Florent Ukmata“.

Sipas mbrojtjes së palës së dëmtuar, në rastin konkret janë kryer disa vepra penale.

Janë procedura administrative” – do të kërkojmë informacion nga zyrtarët përgjegjës

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Gjakovës për të parë se si kjo pronë i ka kaluar serbi, Dushko Bojaviq, por të njëjtit u shprehen se këto procedura janë administrative.

Sidoqoftë, deklaruan se nuk kanë njohuri specifike mbi rastin por që do të kërkojnë përgjigje nga zyrtarët.

“Lidhur me rastin e referuar për lokalin afarist që gjendet në rrugën “Nëna Terezë”, në përdhesën e ndërtesës IV nr.12, i njohur si lokali “Road House”, kalimi i pronësisë gjegjësisht ndërrimi i titullarit të pronësisë zhvillohet sipas procedurave ligjore nga zyrtarët e drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, rrjedhimisht kërkesa dhe kalimet e pronësisë janë procedura administrative që nuk marrin mbikëqyrje direkt nga zyrtarët politik, por nga shërbyesit civil”

“Në rastin në fjalë të pronës komunale, nuk kemi njohuri specifike se si është bërë kalimi i pronësisë, mbi bazën e cilave dokumentacione është ekzekutuar. Për këtë do të kërkojmë nga zyrtarët përgjegjës informacion zyrtar lidhur me rastin“.

Sot, Gazeta Insajderi sërish ka kontaktuar me Komunën për të parë nëse kanë pranuar ndonjë informacion nga zyrtarët e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës – por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka tha Prokuroria?

Pasi pyetjeve të Insajderit, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë me dije se lidhur me këtë pronë kanë nisur hetimet.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, ka autorizuar hetuesit policor që të ndërmerren gjitha veprimet e nevojshme hetimore“, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…