Në prag të ndeshjes miqësore ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës, presidentja e Federatës së Futbollit të Norvegjisë, Lise Klaveness, organizoi një drekë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Agim Ademi.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, presidentja Klaveness i dëshiroi mirëseardhje delegacionit kosovar dhe theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave dhe shteteve. “Kjo ndeshje është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet tona dhe për të promovuar bashkëpunimin në të gjitha nivelet në të ardhmen”, tha Klaveness.
Nga ana tjetër, presidenti Ademi falënderoi presidenten Klaveness për mikpritjen e ngrohtë, duke theksuar se “futbolli është një forcë bashkuese që na sjell më afër njëri-tjetrit, pavarësisht distancave gjeografike”. I pari i FFK-së tutje shtoi se ndeshjet e tilla janë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e sportit, por edhe për promovimin e miqësisë mes popujve.
Gjatë drekës, krerët e futbollit norvegjez shfaqën interesim reth historikut të futbollit kosovar si dhe ecurinë e pavarësisë së vendit tonë. Po ashtu u diskutua edhe për formatin e garave, zhvillimin e futbollit të vajzave dhe projektet e planet për të ardhmen.
Në përfundim të takimit, krerët e të dyja federatave uruan për një lojë të mirë dhe një spektakël futbolli në ndeshjen e sotme, si dhe shkëmbyen dhurata simbolike si shenjë e respektit dhe miqësisë së ndërsjellë.