Forumi më i madh i biznesit në vend – Kosova Business Forum – përmbylli ditën e dytë duke mbajtur premtimin për të ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim dinamik.
Me një përzierje të larmishme pjesëmarrësish të bashkuar nga pasioni i tyre për biznesin dhe ekonominë, forumi u dëshmua të jetë një përvojë tejet informuese dhe inspiruese për të gjithë të pranishmit.
Me temën kryesore “Prishtina 2030 – Udhëheqja e rrugës drejt kryeqytetit të së ardhmes”, eventi po krijon terrenin për diskutime të angazhuara mbi sfidat dhe mundësitë socio-ekonomike që e presin vendin. Në këtë kontekst, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, prezantoi rreth 15 projekte të cilat synojnë të ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të kryeqytetit tonë në vitet në vijim.
Pjesëmarrja i tejkaloi pritshmëritë, me drejtues biznesi, ekspertë ekonomikë, politikanë dhe akterë të tjerë që po bëhen bashkë për të diskutuar mbi të ardhmen e vendit. Panelet e pasura me diskutime të ndyrshme mbuluan perspektivat rajonale dhe globale, duke u ofruar të pranishmëve njohuri ekskluzive dhe biseda frymëzuese nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Nesër, 15 janar, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, do të hapë diskutimin me fjalën hyrëse në panelin e posaçëm “Investoni në Gratë: Përshpejto Progresin”, në bashkëpunim me UN Women. Ne besojmë fuqishëm se ndikimi më efektiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës mund të arrihet duke bashkuar, frymëzuar dhe pasuruar ndërmarrësit dhe liderët e biznesit të Kosovës me ide, aftësi dhe mjete për të ndërtuar kompani të reja dhe për të rritur ato ekzistuese në një standard më të lartë në nivel korporatash.