Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi doli mbrëmë me ministrin Liburn Aliu për t’i inspektuar rrugët e mbuluara nga bora.
Ajo që ra në sy nga fotografitë e publikuaea ishte xhaketa e Durmishit, e firmës ‘Canada Goose’. Produkti origjinal i kësaj xhakete kushton 1,600 euro. Megjithatë, Durmishi ka mohuar se e ka blerë aq, duke thënë se ajo i ka kushtuar 100 euro.
Durmishi është pyetur nëse xhaketa është origjinale apo imitim, ndërsa është përgjigjur duke thënë se e ka blerë 100 euro në një butik në Fushë Kosovë.
“Këtë jakne e kom ble 100 euro në [emri i butikut] n’Fushë Kosovë, mundeni me shku me pytë sa kushtojnë këto jakne, as s’më ka interesu çfarë firme është, e kam ble m’u duk e mirë për dimën, para një kohe. S’kom mundësi me ble jakne 2 mijë euro, edhe po t’i kisha nuk do ta kisha ble”, deklaroi ai për Insajderin.
Durmishi është pyetur edhe për çështjen e imitimit të produktit origjinal, që përbën vepër penale, mirëpo ai ka thënë se për një gjë të tillë duhet të flasin ata që i shesin këto produkte.
“Kjo është çështje që duhet me u marrë me ata që shesin këto. Besoj, me letra janë në rregull [butiku]”, ka thënë Durmishi.