Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu është deklaruar sot lidhur me rastin e zbulimit të 1 milion eurove në një automjet në pikën kufitare në Merdar, gjersa theksoi se është një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare.
Llugaliu në një postim në LinkedIn thotë se zbulimi i këtij rasti është rezultat direkt i përkushtimit të stafit si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.
“Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar në PKK Merdare – një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare. Rezultat direkt i përkushtimit të stafit tonë si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre shtetas të huaj janë arrestuar për të mundësuar hetime të mëtejme. Përkushtimi dhe profesionalizmi i zyrtarëve tanë është për çdo lëvdatë dhe shtrihet mbi synimin tanë për kufij të sigurt”, shkruan ai.
Rreth 1 milion euro janë kapur në pikëkalimin kufitar në Merdar të martën nga Dogana e Kosovës, pas një kontrolli në një automjet.
Dogana njoftoi se në hyrje të Kosovës nga Serbia, vetura fillimisht u kontrollua përmes skanimit me rreze X, që identifikoi ekzistimin e një hapësire të dyshimte të modifikuar në dysheme.
Pas këtyre sinjaleve, dogana kërkoi asistencë nga Policia që përmes pajisjes fibroskopike konfirmoi se në veturë janë fshehur rreth një milion euro, që nuk ishin të deklaruara.
Më vonë gjatë ditës, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se i ka ndaluar për 48 orë tre persona, që dyshohen për veprën penale “shpëlarja e parave”. Në raportin policor të së mërkurës, është theksuar se vetura ka qenë me targa të Shqipërisë dhe se të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë.
Ndërkaq mediat në Shqipëri kanë raportuar se në mesin e të arrestuarve është një polic nga Tirana.

