IPK pritet të rekomandojë suspendimin e policit Flamur Keka, ky është dyshimi që rëndon mbi të

Inspektorati Policor i Kosovës së shpejti pritet të rekomandojë suspendimin e zyrtarit policor Flamur Keka, që po dyshohet se është përfshirë në një rrahje, që ndodhi më 9 korrik në një kafeteri të Kamenicës.

Derisa ai ka qenë jashtë detyrës zyrtare bashkë me tre persona të tjerë po dyshohen se janë përleshur me njëri-tjetrin, pas një mosmarrëveshje që nisi aty dhe eskaloi në sulm fizik.Nga IPK e kanë konfirmuar se Keka po dyshohet për veprën penale “sulm”, ndërkohë që po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin.

“Hetuesit e Departamentit të Hetimeve janë të njoftuar lidhur me rastin në fjalë. Të njëjtit janë duke ndërmarrë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave përderisa në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është i dyshuar deri në këtë fazë të hetimeve për veprën penale sulm dhe IPK në interes të hetimit pritet të rekomandojë suspendimin për të njëjtin”.

Por kush janë të dyshuarit tjerë, përveç policit Keka?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Barlet Ahmetin, Qendrim Bojkun dhe Asdren Ahmetin, ndaj të cilëve Prokuroria ka nisur hetimet.Katër të rinjtë janë përleshur në kafeteri me njëri-tjetrin, pas një mosmarrëveshje që nisi aty dhe eskaloi në sulm fizik.

Si pasojë e goditjeve, të dyshuarit e përfshirë në rrahje pësuan lëndime trupore, për çka u dërguan në Emergjencën e Gjilanit, për trajtim mjekësor, e më pas u shoqëruan në stacion policor.