Mijëra të rinj në Kosovë po përgatiten të shkojnë për të punuar në Gjermani, e cila ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë, kështu që vendi që shpalli pavarësinë 14 vjet më parë mund të mbetet pa fuqi punëtore në disa sektorë, shkruajnë mediat kroate.
Arbeni, një fizioterapist 26-vjeçar, është ulur në rreshtin e pasmë të një autobusi nga drejtimi i Ferizajt, një qytet në juglindje të Kosovës.
Duolingo, një aplikacion për mësimin e gjuhëve të huaja, është i instaluar në telefonin e tij, kështu që ai mëson gjermanisht ndërsa udhëton për në fshatin e tij të lindjes.
“Po mësoj gjermanisht sepse së shpejti do të shkoj në Shtutgart”, i tha Arbeni agjencisë kroate të lajmeve, Hina. Nuk kishte qenë kurrë në Gjermani, por sapo iu ofrua një punë në këtë profesion, nuk hezitoi. Gjermania dhe Zvicra kanë mungesë të punëtorëve shëndetësorë, ndaj Arbenit do t’i jepet një kontratë pa afat dhe ai shpreson të qëndrojë përgjithmonë. “Nuk do të kthehem kurrë”, thotë ai.
Arbeni është një nga më shumë se 50 mijë kosovarët që aktualisht janë duke pritur për vizë për në Gjermani, sipas analistëve në Kosovë.
Në Prizren, qytet në jug të vendit, ka një shëtitore përgjatë lumit, brigjet e së cilës lidhen me një urë të vjetër prej guri.
Aty po ecin disa çifte me fëmijë dhe një grup turistësh të huaj po ngjiten në kodër drejt mureve të kalasë lokale. Por kafenetë dhe restorantet janë bosh.
“Njerëzit po mendojnë se si të mbijetojnë”, tha një ekonomist vendas që donte të mbetej anonim. “Çmimet janë rritur në qiell që nga fillimi i luftës në Ukrainë”, shton ai. Disa të rinj punojnë përkohësisht në kafene dhe fabrika derisa ta marrin vizën për të shkuar jashtë vendit, përcjell Express.
“Së shpejti nuk do të mbetet njeri që të punojë në profesione të caktuara”, paralajmëron ekonomisti. Ai thotë se 65 mijë kosovarë janë në pritje të lejes së punës në Gjermani. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë dhe tani si shqiptarët, ashtu si serbët po largohen nga vendi me 1.8 milionë banorë në kërkim të punës jashtë vendit.
“Aq shumë gjak është derdhur dhe në fund askush nuk do të mbetet”, thotë 37-vjeçari Miroslav, nga një fshat me popullatë serbe. Ai merret me programet europiane të shkëmbimit të të rinjve.“Të rinjtë kanë arsye për largimin nga Kosova, sepse politikanët, për shkak të mungesës së ideve për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe ngritjen e standardeve, shfrytëzojnë hapësirën mediatike për të luftuar dhe për t’u kthyer në të kaluarën”, thotë ai.
Ai përmend “rrogat e ulëta në sektorin privat, kushtet e këqija të punës, punën pa kontratë, refuzimin e pushimit vjetor dhe situatën e keqe të sigurisë politike” si arsyet e largimit të të rinjve.
Prizreni është vetëm një nga vendet ku kanë ardhur donacione vitet e fundit. Ujësjellësi i qytetit është financuar nga Gjermania dhe këndi i lojërave për fëmijë nga Suedia.
Një ekonomist vendas, i cili ka punuar në projekte të financuara nga jashtë, ankohet se shumë të huaj përgjegjës për zbatimin e projekteve ishin të korruptuar.
“Ata morën shumë para për veten e tyre për paga të larta dhe përfitime të tjera në vend që paratë të shpenzoheshin për atë që ishte menduar”, thotë ai.
Nga Prizreni, qyteti i dytë më i madh, autobusët i çojnë punëtorët në punë në Prishtinë nga ora 6 e mëngjesit. Aty ndodhet zyra e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.
.
“Ne si qeveri sigurisht që po e vëzhgojmë situatën. Ne po i drejtojmë politikat drejt së ardhmes për t’u ofruar të rinjve shërbime të mjaftueshme këtu”, thotë ai. “Por këtë trend të emigrimit e kam parë edhe në Kroaci, në zonën e Vukovarit, prej nga shkojnë edhe në Gjermani.
Është një proces normal, njerëzit kërkojnë kushte më të mira jetese”, shton ai.Kroacia ishte e fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013, kur dyert e tregut të punës në bllokun e 27 vendeve u hapën për banorët e saj. Në dhjetë vitet e fundit ka humbur rreth 400 mijë banorë, sipas regjistrimit të popullsisë të publikuar në janar.
Miroslav thotë se është “fat për Kosovën” që ambasada gjermane po përballet me një ngecje në përpunimin e kërkesave për viza pune. Ai pretendon se nga rreth 50 mijë kërkesa në muaj, disa qindra procedohen.
“Shumë qytetarë trajtohen jashtë Kosovës për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore, kështu që mund ta imagjinojmë situatën vetëm pas disa vitesh nëse vazhdon ky trend i shkuarjes së mjekëve në Gjermani”, thekson ai. Në faqen e saj, Ambasada Gjermane në Prishtinë u kërkon banorëve që të mos shkojnë pa një termin të aprovuar.
Ambasada nuk u përgjigj se sa aplikime për vizë pune ka aktualisht dhe sa miraton në muaj.Muajin e kaluar, Krasniqi kërkoi nga Komisioni Europian që ta pranojë Kosovën në Strategjinë e BE-së për Zonën Adriatiko-Joniane (EUSAIR), një forum përmes të cilit dhjetë vende që kufizohen me detin Adriatik dhe Jon, ose që ndodhen në brendësi të tij, mund të tërheqin para nga fondet e BE-së për projekte të përbashkëta.
Serbia, anëtare e EUSAIR, po e bllokon hyrjen e Kosovës si shtet i pavarur në këtë iniciativë, që është një hap fillestar drejt anëtarësimit të mundshëm në BE një ditë.“Shumë të rinj do të ishin të lumtur të jetonin këtu në Kosovë dhe nuk do të largoheshin siç kanë bërë për shumë vite”, thotë Krasniqi. “Duam t’i përfshijmë në turizëm dhe në programe të ndryshme bashkëpunimi, që të mos kërkojnë punë jashtë, por ta gjejnë këtu”, shton ai.
Të rinjtë duan kushte më të mira jetese në Kosovë, pavarësia e së cilës është njohur nga 22 prej 27 vendeve të BE-së. Tauliani, një student 18-vjeç i stomatologjisë, ishte me pushime me miqtë në Trogir, Split dhe Dubrovnik verën e kaluar.Ai sapo u kthye me autobus nga universiteti nga qyteti maqedonas i Tetovës në vendlindjen e tij në Prizren.
“Nuk ka shumë mundësi për të rinjtë këtu, kështu që të gjithë duan të shkojnë në Gjermani dhe Zvicër”, thotë ai në stacionin e autobusëve. “Por unë nuk dua të shkoj të punoj jashtë vendit. Unë dua të qëndroj në atdheun tim”, thekson ai.